Pogradec, vritet një fëmijë me armë zjarri
POGRADEC-Një fëmijë ka vdekur sot në një fshat të Pogradecit, ndërsa policia dyshon se bëhet fjalë për një vdekje aksidentale me armë. Korrespondentja e TVNews24 bëri të ditur sot në mesditë se viktima quhet Erind Lickollari dhe është i moshës 13 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të ish-depove të armatimit në fshatin Vërdovë, 1 km larg Pogradecit. Fillimisht dyshohet se fëmija është qëlluar aksidentalisht me armë gjate nje loje mes moshataresh, por ende ngjarja nuk është sqaruar nga autoritetet përkatëse. Mendohet se i riu ka qenë duke luajtur me bashkëmoshatarë pranë ish-depove të armëve, çka hedh dyshime se vdekja mund të ketë ardhur në rrethana aksidentale. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, nga ku ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes së adoleshentit. Ndërtohet pista e parë Nga hetimet paraprake mësohet se fëmija ka qënë me bagëti së bashku me një grup shokësh dhe kanë luajtur me një armë që e kanë gjetur pranë ish-repartit ushtarak qe para viteve '97 ka patur armatime te ndryshme. Kanë qënë vetëm shokët që e kanë cuar në spital Erindin, por ai ka vdekur sapo ka mbërritur tek hyrja e ndërtesës së spitalit në duart e shokëve. Megjithatë policia nuk ka të qarta rrethanat e shkrepjes së armëve. Dyshohet se arma që mund të jetë gjetur ose jo në repart, mund të jetë shkrepur gabimisht nga Erindi, ose ndonjë prej shokëve. Policia ka marrë në pyetje fëmijët e tjerë, shokë të 13 vjecarit të cilët janë ende të tronditur nga vdekja e moshatarit të tyre. (d.b/BalkanWeb)