“Gërdeci”, arrestohet një dëshmitar në Gjykatë
Një dëshmitar është arrestuar në sallën e gjyqit në Gjykatën e Shkallës së Parë ndërsa dëshmoi për procesin rreth tragjedisë së Gërdecit që la të vdekur 26 persona. Veiz Muca, ish-përgjegjës në fabrikën e Gërdecit që shpërtheu më 15 Mars të vitit 2008 u arrestua me akuzën për dhënie të dëshmisë së rreme. Në dëshminë e Mucës rezultoi se në fabrikë nuk punonin të mitur, deklaratë që bie ndesh me dhjetra deklarata të tjera dhe fakte të mbledhura ku është dëshmuar se në fabrikë kanë punuar fëmijë deri në momentin që ka shpërthyer. Veiz Mucës iu vunë prangat nga policia pas vendimin nga trupi gjykues që po gjykon cështjen, ndërsa i lartpërmenduri nuk protestoi apo dha ndonjë deklaratë rreth vendimit. Arrestimi i sotëm është i pari i këtij lloji në këtë proces të madh, duke cuar numrin e të pandehurve në 30. Tragjedia e Gërdecit po shqyrtohet e ndarë në pjesë. Gjyqi më i madh po bëhet në Shkallën e Parë me plot 30 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe 3 drejtues të fabrikës së demontimit të armëve, të vetmit nën arrest. Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vednin tonë vitet e fundit, ku 15 kilomera nga Tirana shprëtheu një fabrikë ku cmontoheshin armë duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetra banesa e biznese të shkatërruara.