Një provokim fetaro-diplomatik
Reputacioni negativ nderkombetar i kishes artodokse serbe, si nje nga nxiteset kryesotre te fushave nacionaliste te .shtetit serb dhe të konflikteve të përgjakshme që përshkuan ish-Jugosllavinë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, duket se po rikthehet për shkak të objektivave fetare dhe politike të patriarkut të ri të kësaj kishe, Irinej Dobrijeviç, i zgjedhur në postin më të lartë klerikal më 23 janar 2010. Në deklaratat dhe konferencat e tij të para të shtypit, ai po parashtron një platformë fetaro-politiko-diplomatike, e cila mund të shkaktojë konflikte dhe tensione të mëdha, jo vetën në Serbi, por edhe në Ballkan, dhe sidomos në marrëdhëniet e Serbisë me shtetet fqinj. Patriarku shpalli se, përveç kurorëzimit kishtar që ai pati në Beograd, do të organizojë edhe një kurorëzim tjetër në kishën ortodokse në Pejë të Kosovës, në datën 25 prill 2010. Përveç kurorëzimit të dytë, ai do të thërrasë edhe Asamblenë e Kishës Ortodokse Serbe në Pejë të Kosovës, ku synon të mbledhë sa më shumë serbë nga të gjitha anët e Serbisë që të shkojnë të shohin "çfarë po ngjet në Kosovë". Irinej nuk njoftoi nëse ka ndër mend të bëjë ndonjë kurorëzim të tretë në Australi, meqë si patriark ai është njëkohësisht edhe kryepeshkop i kishës ortodokse serbe të Australisë, dhe as për ndonjë kurorëzim të katërt në Zelandën e Re, meqë është gjithashtu edhe kryepeshkop i kishës ortodokse serbe në Zelandën e Re. Objektivi i tij kryesor është Kosova, dhe në Kosovë ai kërkon të sfidojë realitetin e shtetit të ri e të pavarur të Kosovës, të shpallur me aktin dhe vullnetin unanim të përfaqësuesve dhe të institucioneve më të larta demokratike të shtetit të Kosovës. Patriarku Irinej planifikon të ndërmarrë një kryqëzatë fetaro-diplomatike kundër Kosovës."Detyra jonë e parë si kishë do të jetë të shpëtojmë Kosovën tonë, të ndihmojmë shtetin tonë nga ata që duan të na e marrin Kosovën. Ne nuk duhet ta lejojmë pavarësinë e Kosovës. Ne duhet të jemi gati dhe ne duhet të dimë si të reagojmë. Toka e Kosovës është ujitur me gjakun martir serb dhe Kosova na takon neve". Këto janë deklaratat e tij luftarake, që qartësisht dëshmojnë se me çfarë fryme, qëllimi dhe objektivi politik e nacionalist ai po organizon kurorëzimin e tij të dytë. Nuk është i panjohur për faktorin ndërkombëtar ky ton dhe ky pathos fetaro-nacionalist me të cilin po kërkohet të mobilizohen, tre muaj përpara, opinioni fetar dhe publik si dhe forcat politike radikale serbe drejt Kosovës. Ka një ngjashmëri rrëqethëse me fjalimin famëkeq të ish- presidentit të Serbisë, kriminel ndërkombëtar lufte, Sllobodan Millosheviç, i cili më 28 qershor 1986, në Fushë të Kosovës shpalli manifestin e luftës të shovinizmit serbomadh, që hodhi gjithë Jugosllavinë në katër luftëra të përgjakshme, të ndërmarra nga shteti i Serbisë kundër popujve joserbë të federatës jugosllave. Atëherë kishim një president luftëshkaktues, që shpalli platformën e konflikteve ndëretnike, dhe i cili pati në krah të djathtë të tij jo vetëm bekimin e kishës ortodokse serbe, por edhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të hierarkëve të lartë të kësaj kishe në spastrimet etnike dhe genocidin kundër popujve joserbë, sidomos në Bosnjë dhe në Kosovë. Tani që koha e luftërave ka perënduar, kur në gjithë Ballkanin, duke përfshirë edhe 7 shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia janë vendosur qeveri demokratike dhe të gjithë kanë shpallur se duan të hyjnë në BE, del patriarku i ri i kishës ortodokse serbe dhe u bie tambureve të "luftës së shenjtë" kundër Kosovës. Irinej Dobrijeviçi i ka vënë vetes detyrën që të ringjallë një fanatizëm të ri fetar në Serbi dhe në gjirin e popullit serb, dhe t'i nxisë ata drejt Kosovës. Nuk është e vështirë për të kuptuar se yshtja fetare për t'u ngritur dhe shpëtuar Kosovën, "Jerusalemin serb", nuk ka të bëjë as me fenë e as me kishën, por është një devizë e vjetër e stërkonsumuar e nacionalizmit serbomadh. Ajo paralajmëron një program luftënxitës të patriarkut dhe të kishës serbe, që duket kanë interes të krijojnë tensione dhe turbullira të reja në Ballkan, duke filluar nga Kosova. Patriarku dhe kisha serbe e dinë fare mirë se tani Kosova është një shtet i ri i pavarur, i njohur nga G-7, nga 65 shtete të botës, dhe çdo pretendim, hap apo provokim, nën çdo etiketë që të bëhet, është jo vetëm kundër një populli të tërë, por dhe kundër një shteti sovran. Kaq flagrante është fushata e kurorëzimit të dytë në Kosovë që po ngre kryeprifti i ri i luftës, saqë edhe vetë u detyrua të deklarojë më 29 janar se, shpreson që "vëllezërit nga Kosova do ta kuptojnë se ky nuk është provokim". Por, nuk ka se si të merret ndryshe veçse si provokim, kur ai shpall se do të shkojë në një shtet tjetër për të organizuar seancë masive fetaro-politiko-nacionaliste kundër ekzistencës së atij shteti dhe të atij populli të Kosovës. Së pari, ai është i detyruar të kërkojë leje nga qeveria e Kosovës për të organizuar ceremonira dhe festa personale e fetare në territorin e një shteti tjetër. Së dyti, ai është i detyruar të respektojë kufijtë e frymës dhe karakterit fetar të misionit të tij pastoral dhe të kishës. Dy gjëra, të cilat ai shpall se nuk po i respekton qysh tani. Sepse, po të nisesh nga logjika se Kosova qenka e Serbisë, sepse atje ka kisha dhe manastire serbe, do të thotë se edhe kryemyftiu i Stambollit duhet të fronëzohet në Beograd, sepse Serbia ka qenë nën pushtimin osman, sepse kryeqyteti serb ka disa xhami shumë të vjetra, të cilat i përkasin kohës osmane dhe fesë së popullit turk. Po në këtë logjikë, edhe kryemyftiu shqiptar i Kosovës duhet të kurorëzohet në Nish, sepse edhe Nishi, bashkë me rrethinat, ka qenë dikur qytet shqiptar dhe me xhamia të shumta. Patriarku Irinej po zhvillon politikë të keqe nacionaliste, të mbushur me dalldi dhe ethe fetare. Sepse, ai po i kundërvihet hapur popullit të Kosovës, duke e kërcënuar me organizimin e kryqëzatave "për të shpëtuar Kosovën tonë". Sepse, ai po i kundërvihet të drejtës së pajetërsueshme të popullit të Kosovës për të ushtruar sovranitetin e vet në shtetin e vet të lirë e të pavarur. Ai po i bën një shërbim shumë të keq popullit dhe shtetit serb, të cilët ende nuk janë shëruar plotësisht nga plagët e rënda që ua shkaktoi platforma nacionaliste e Millosheviçit, e tani dëgjojnë, pas 15 vjetësh, thirrje për kryqëzata të reja. Patriarku po bën politikë, sepse doli hapur kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe fuqive të mëdha, duke i sulmuar pse kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës. Ai bën politikë, sepse shpalli kërkesën, që përpara çdo hapi drejt bashkimit të mundshëm të Serbisë me Aleancën Atlantike duhet të organizohet referendum popullor, sepse dihet që kisha serbe është kundër NATO-s. Ai bën politikë, sepse iu kundërvu Bashkimit Europian, duke i kërkuar që të mos i vërë Serbisë kushtin e njohjes së Kosovës për hyrjen në BE. Që në ditët e tij të para, patriarku acaron marrëdhëniet e Serbisë jo vetëm me Kosovën, por dhe me shtetet fqinj të Serbisë. Ai doli hapur kundër pavarësisë së shtetit të pavarur të Malit të Zi, duke deklaruar se ndarja nga Serbia ka qenë e pakuptimtë, sepse serbët dhe malazezët, sipas tij, janë një popull. Ai tha se ndarja është produkt i pak njerëzve të fuqishëm, duke bërë tërthorazi ftesë për rebelim në Mal të Zi kundër qeverisë dhe institucioneve që përfaqësojnë pavarësinë e shtetit. Patriarku sulmoi shtetin e Kroacisë, ku sipas tij po vazhdojnë vuajtjet dhe problemet shekullore të serbëve të Kroacisë. Kreu i kishës serbe injoroi kërkesat e kishave ortodokse kombëtare të Malit të Zi dhe të Maqedonisë për t'u njohur nga kisha serbe. Përkundrazi, ai u bëri thirrje "vëllezërve maqedonas, se i kanë dyert e hapura të kishës serbe". Dhe, për të mos lënë asnjë pikë dyshimi për programin nacionalist dhe fondamentalist fetar, patriarku i ri ndërmori një seri sulmesh provokuese kundër doktrinës islamike, duke provokuar qëllimisht besimtarët myslimanë në Serbi. Në datën 28 janar, Komuniteti Islamik i Serbisë i dërgoi një letër proteste patriarkut të ri për deklaratat fyese në adresë të filozofisë islamike. "është e pabesueshme që patriarku i ri i sapozgjedhur e filloi misionin e tij me deklarata të paskrupullta mbi Islamin. është tërësisht e qartë se këto deklarata bëjnë thirrje për genocid, sepse për patriarkun, myslimanët janë të pranueshëm vetëm kur janë pakicë dhe kokulur", -thuhet në protestën e Komunitetit Islamik të Serbisë, anëtarët e të cilit janë shtetas serbë. Dhe, nëse shtetasit serbë të një besimi tjetër nga ai i Irinejit ndjehen të kërcënuar nga fryma e një genocidi që po nxitet drejt tyre, çfarë mund të mendohet tjetër se kërkon patriarku për Kosovën, drejt së cilës po ngre furtuna nacionaliste serbe?Portreti i prijësit fetar të kryqëzatave të ardhshme që po i kultivon vetes kreu i ri i kishës ortodokse serbe, konfirmon të vërtetën e zgjedhjes së tij nga grupi i radikalëve të kishës serbe, si peshkopët ultranacionalistë të serbëve të Bosnjës, Vasilije, dhe të serbëve të Malit të Zi, Amfilohije, dhe sinjalizon rolin e ri agresiv politik që kisha po kërkon të luajë në Serbi. Këto janë zhvillime negative, jo vetëm brenda shoqërisë dhe shtetit serb, por edhe paralajmërime të qarta të tensioneve të rrezikshme që mund të krijohen në Ballkan, nëse personalitete, tendenca dhe programe të histerisë fetaro-diplomatike nuk vihen nën kontroll, qoftë nga shteti serb, qoftë nga faktori ndërkombëtar. (GSH/BalkanWeb)