Polica konfirmon: S’i ruajmë dot stadiumet këtë fundjavë
Shefi i Garave në FSHF konfirmon ngërçin që ka kapluar qeverinë e futbollit pas kërkesës së refuzuar nga forcat e rendit për të marrë përsipër sigurinë në stadiume
Nëse një ditë më parë ishte thjesht një dyshim nga ana e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, dje u bë fakt i kryer. Shefi i Garave, Ilir Shulku, ka pranuar se ndeshjet e programuara për t’u zhvilluar më datë 14 maj, nuk do të luhen. “Policia nuk ka asnjë datë të lirë që të na konfirmojë se kur mund të na garantojë rendin në stadiume”.
Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka gjetur ende një datë të lirë për ndeshjet e javës së fundit të Superligës, në program më 14 maj. Pas shkresës së policisë, që nuk e ka marrë përsipër aktivitetin deri më 15 maj për shkak të zgjedhjeve, në FSHF janë duke menduar për të gjetur një tjetër mundësi që java e 33-të të luhet përpara finales së Kupës, që është më 19 maj. "Por, e vërteta është se nuk ka asnjë datë të lirë dhe ende nuk kemi gjetur një zgjidhje, - pohoi shefi i Sektorit të Garave Ilir Shulku. - Opsioni i vetëm është që të luajmë të hënën, më 16 maj, por edhe kjo datë krijon probleme për finalen e Kupës, pasi Dinamo lufton për mbijetesë", shtoi ai. Në kushte të tilla, Federata shpreson që procesi zgjedhor dhe incidentet që shoqërojnë atë, të përfundojnë para ditës së shtunë, në mënyrë që t'i kërkojë sërish policisë ta marrë përsipër organizimin e aktivitetit. Në të kundërt, gjithçka do të rrezikohej, pasi deri në fund të muajit, të gjitha datat janë të zëna, duke nisur me finalen e Kupës, ndeshjet e plejautit dhe më pas me grumbullimin e kombëtares për takimin me Bosnje-Hercegovinën.
Situata është shndërruar nga relaksuese, në një makth. Nëse FSHF kërkonte të lante duart shpejt e shpejt me një kampionat që ka sjellë shumë irritim gjatë gjithë javëve të tij, do t’i duhet të përtypë dhe për shumë ditë dorëzimin e trofeut të titullit kampion dhe të Kupës së Shqipërisë. Madje, irrituese bëhet edhe fakti se vlonjatët do të jenë edhe më të karikuar kundër korçarëve dhe do ta nxjerrin mllefin kundër Skënderbeut, çka mund të sjellë surpriza të pakëndëshme në javën e fundit të kampionatit. Gjithashtu është Kupa e Shqipërisë. Tirana e Dinamo duhet të presin dhe ca ditë. Policia i ka përveshur mëngët në zgjedhjet lokale, ndaj edhe nuk e ka shumë mendjen të bëjë detyrën në fushat e blerta. Por për federatën kjo është një mesele e madhe.
Superliga – Java e 33-të
Ndeshjet
Kastrioti – Dinamo
Elbasani – Shkumbini
Teuta – Laçi
Bylis – Vllaznia
Flamurtari – Skënderbeu
Besa – Tirana
Renditja
1) Skënderbeu 32 23 4 5 52-22 73
2) Flamurtari 31 21 3 7 61-24 66
3) Vllaznia 31 16 8 7 38-25 56
4) Laçi 32 14 5 13 42-41 47
5) Tirana 32 11 11 10 40-28 44
6) Bylis 32 12 4 16 42-48 40
7) Dinamo 32 10 9 13 43-46 39
8) Teuta 32 10 9 13 35-38 39
9) Kastrioti 32 10 9 13 36-44 39
10) Shkumbini 32 11 6 15 41-53 39
11) Besa 32 9 9 14 32-45 36
12) Elbasani 32 4 3 25 29-77 12