E Diel, 1 Nëntor 2026

Shumaker: Nuk po kënaqem më si dikur

Gjermani-rekordmen deklaron se ka humbur ndjesitë që kishte dikur, teksa pilotonte Ferrarin që e bëri një legjendë në këtë sport

Mikael Shumaker ka pranuar për herë të parë se nuk është duke u kënaqur në pistë, pas fillimit dëshpërues të sezonit të tij të dytë pas rikthimit në Formula 1. 42 vjeçari, pilot i Mercedes, përfundoi i 12-ti në garën për Çmimin e Madh të Turqisë, pas një tjetër fundjave të dobët. Shumaker tha për BBC Sport: “Gëzimi i madh nuk ekziston më, sidomos tani”. Gjermani, vuri rekordin me tetë tituj dhe 91 gara të fituara, para se të tërhiqej më 2006, por ka arritur rezultate më të dobëta se kolegu i tij, Niko Rosberg në 15 prej 23 garave të tyre për Mercedes. Rosberg, 25 vjeç, po ashtu është kualifikuar më lart se Shumakeri në 19 gara. Rosberg u kualifikua i treti në Turqi, më tepër se një sekondë para Shumakerit, i cili u nis nga vendi i tetë. Shumaker nuk u ndihmua nga përplasja në xhiron e parë me pilotin e Renault, Vitali Petrov. Incidenti e detyroi të kthehet në pit-stop për të ndërruar krahun e bolidit. Shumaker bëri tri ndalje tjera në pit-stop për goma të reja, por asnjëherë nuk u duk në gjendje t’i afrohet pozitave të para. “Ju kam thënë para garës se do të ketë aksion dhe në fakt kisha shumë aksion. Mendoj se isha përgjegjës vetë për rezultatin që mora. Me Petrovin kam bërë një gabim të rëndë që më kushtoi shumë. Më duhet t’i analizoj gjërat. Ishte paksa e çuditshme dhe papritmas ne u përplasëm dhe humba krahun e përparmë të bolidit. Gara ishte e humbur prej atij momenti, shumë luftë, shumë aksion, por për asgjë. Prej nga kemi ardhur (në start), të shkojmë përpara është më mirë sesa të kemi nevojë të mbrohemi prapa”, përfundoi ai. Shumaker nënshkroi kontratë trevjeçare me Mercedes pas rikthimit të tij në Formula 1 vitin e kaluar. Analisti i Formulës 1 në BBC, Edie Xhordan ka thënë se ndoshta është koha që Shumaker të konsiderojë të ardhmen e tij. “Kam ndjerë keqardhje për një njeri legjendar, i cili ka qenë i shkëlqyer për gjithë ato vite sa garoi, duke fituar shtatë tituj kampion bote. Ai është shumë i sinqertë dhe duket qartë se nuk është duke u kënaqur dhe rezultatet tregojnë pse nuk është duke u kënaqur në pistë. Atij i takon të marrë disa vendime të mëdha në muajt e ardhshëm”, deklaroi Xhordan. Gara e ardhshme zhvillohet në Spanjë, më 22 maj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›