E Diel, 1 Nëntor 2026

Realiteti totalitar i përshkruar nga një femër

"Kloroform" i Klara Budës, një libër i munguar


Romani "Kloroform" i autores Klara Buda na bën të besojmë se romancieret shqiptare janë fenomeni më i fundit premtues i ringjalljes së letërsisë së vendit të vogël ballkanik.
Tek lexon këtë roman, nuk ke se si të mos kujtohesh për librat e Kunderës a për "El seor Presidente" të Migel Angel Asturias.


Është autopsia e një sistemi totalitar, dhe vetë libri riprodhon një realitet të vrazhdë që shkon herë-herë deri në makabritet.
Por, realiteti totalitar i përshkruar nga një femër është një grafikë që fsheh nënshtresat e ngjyrave të ngrohta të impresionistëve.


Është një roman që lexohet me një frymë, ngase ndjehet se është shkruar me një frymë. Është një roman, të cilit lexuesi i beson, ngase është shkruar nga një autore që vetë i beson asaj çka shkruan.


Dhe sinqeriteti në letërsi nuk është kategori morale: është stil, është ritëm, është sintaksë, është strukturë.
Klara Buda duket se i përket atyre shkrimtarëve që nuk kanë ndërmend ta lajkatojnë lexuesin.


Ajo flet vrazhdë, me një butësi bindëse, ajo shkruan një prozë me skena makabre, duke përdorur penelata poetike. Vete romani titullohet "Kloroform".


Por lënda e tij është një kloroform që jo vetëm nuk të përgjum, por, në të kundërt, përmes forcës së gjuhës dhe imagjinatës, zgjon kujtesën e amnestizuar, duke i folur lexuesve të një realiteti që është pushtuar nga amnezia.


Për të gjitha këto arsye romani "Kloroform" është një libër që i ka munguar deri më tash letërsisë shqipe.


Survejimi i tjetrit, sipas Kin Dushit


Banorët e shkallës 5 janë "të mbyllur" brenda një shkalle, të survejuar dhe survejues. Këta njerëz janë gjithmonë nën trysninë e formulës "unë dua, unë kam nevojë, por unë nuk duhet, nuk më lejohet". Të gjithë vëzhgojnë njëri-tjetrin, të gjithë spiunojnë njëri-tjetrin, të gjithë mohojnë nevojat e tyre për hir të asaj që tjetri mendon.


Dhe një personazh që Kin Dushi nuk e ka vendosur në pjesën e tij, por padyshim e ka ndjerë prezencën e tij, sidomos në vitet e burgut, është komandanti. Krijuesi i këtij sistemi dhe drejtuesi i tij. Një njeri gjigant në veprime, por xhuxh në shpirt. Atëherë si bëjnë dhe si jetojnë njerëzit e kësaj shkalle?


Sonte, ora 19:00 në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, shfaqet komedia "Banorët e
shkallës Nr. 5" e shkruar nga Kin Dushi.


Sonila Ulqinaku, e cila e vë në skenë pas një periudhe afro 40-vjeçare, e nxori veprën nga arkivat e Teatrit ku ishte lënë në harresë për shkak të "biografisë" së autorit të saj. Interpretojnë Dejvis Muka, Albano Bogdo, Ermira Hysaj, Andi Begolli, Lisa Kujovska, Klodian Hoxha, Fredi Zeneli dhe Xheni Demi. Skenografia dhe kostumografia janë realizuar nga Klajd Kapidani dhe muzika nga Fabian Asllani dhe Bojken Lako.


Ulqinaku konkurron me këtë vepër në edicionin e katërt të Festivalit të Teatrit për të Rinj, që mbahet në Tiranë nga data 20 deri në 25 nëntor.


Nëntoristët në Muze


Nga 25 nëntori deri më 6 dhjetor, 32 artistë shqiptar ekspozojnë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Është edicioni i 12-të i ekspozitës "Nëntori". Pjesëmarrësit prezantohen me portrete, peizazhe, natyra të qeta dhe tema të lira.


Që në fillesat e saj kjo ekspozitë vjetore i është përmbajtur të njëjtit profil, duke ftuar të marrin pjesë vetëm piktorë të ngjyrës dhe kombinues të mirë të saj.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›