E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamundësia e Ramës për të arsyetuar



Në historinë 19-vjeçare të pluralizmit politik, është hera e parë që një lëvizje opozitare ekstraparlamentare protestash shkakton kaq shumë paqartësi, aq sa nga përmasat i ngjan një proteste të një grupi të vogël interesi që kërkojnë shtim pagash apo trajtimi financiar, përmirësim statusi apo diçka të ngjashme me këto. E nga ana tjetër, retorika e drejtuesve të saj kërkon të krijojë përshtypjen e një lëvizjeje të gjerë antiqeveritare. Ky kontrast mes mbështetjes reale që pati protesta dhe përshkrimit tejet të ekzagjeruar të mediave pro PS-së, të shtyn drejt bindjes se gjendemi përballë një konsumimi të papërshtatshëm të opozitarizmit ekstrem nga ana e Ramës dhe atyre që e ndjekin. Ky shpërdorim i protestës është i vërtetë për disa arsye.

Së pari, sepse opinioni publik nuk ndan të njëjtin mendim me ta në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërsa Rama thërret për rezultat të trukuar të zgjedhjeve, shoqëria reagon nëpërmjet bojkotimit të protestave, pasi nuk mendon se i janë prekur votat, ndaj opinioni nuk e gjen veten të përfaqësuar nga organizatorët e këtyre protestave, që për nga numri kanë qenë të papërfillshme pikërisht për këtë arsye. Rrjedhimisht papërputhshmëria e perceptimit publik me thirrjet e opozitës krijon një distancë të materializuar me mospjesëmarrje.

Së dyti, arsyeja pse kjo lëvizje e opozitës nuk po mbështetet nga opinioni publik, ka të bëjë me aktorët e kësaj nisme. Në krye të saj është vendosur kryetari i PS-së, që i humbi zgjedhjet. Për sa është thënë më lart, Rama nuk shihet si viktimë e prishjes së rregullave të lojës nga mazhoranca në pushtet, por si një politikan që humbi bastin e karrierës së tij, duke kërkuar të vijë në pushtet i vetëm kundër të gjithëve. Çdo akt i tij pas 28 qershorit nuk përfshin tjetërkënd, përveç fansave të tij personalë. Kjo është e pamjaftueshme për t’iu imponuar sistemit. Sa për partnerët e tij të bojkotit dhe rrjedhimisht të protestave, mund të thuhet se ata përgjithësisht i bashkon një tipar. Të qenit jashtë Parlamentit. Por jo vetëm kaq, por edhe një trajektore e përbashkët antiBerishë. Ndoka e Ngjela drejtojnë dy parti që nuk kanë mundur dot të ndërtojnë një profil të qartë politik, por edhe organizativ, aq sa të kishin mjaftueshëm vota për t’u përfaqësuar në Parlament. Aq më keq, duke qenë pjesë e PD-së apo koalicionit të djathtë deri para pak vitesh, tingëllojnë si zëra të acaruar, për shkak të daljes nga politika dhe jo përfaqësues të ndonjë pjese të opinionit publik. Ashtu si në rastin e Ramës, edhe këta dy politikanë artikulojnë nëpër tribuna një fjalor të mllefit personal të karrierës së kompromentuar. Sa për Gjinushin e Milon, askush nuk e di ende nëse kanë pasur ndonjëherë votat e mjaftueshme për të hyrë në Parlament me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo edhe arsyeja që ata nuk janë të vetëm në një grup partish të majta apo të djathta që nuk kanë as edhe një deputet në Kuvend. Edhe ky nuk është një problem i shqiptarëve, por i vetë atyre.

Arsyeja e tretë pse protestat kanë dështuar, është se kjo lëvizje nuk gëzon mbështetje të plotë as brenda Partisë Socialiste. Një grup figurash të njohura të PS-së, prej marrjes së vendimit për bojkot dhe protesta, kanë dalë hapur kundër këtij vendimi, duke i bërë thirrje liderit të PS-së për të hyrë në Parlament. Kjo e bën nismën akoma më pak legjitime dhe të pambështetur. Përpjekjet e Ramës për të zëvendësuar, fjala vjen, Kastriot Islamin apo Rexhep Meidanin me Nard Ndokën, nuk i ngroh aspak socialistët e thjeshtë, e jo më qytetarët e paangazhuar.

Arsyeja e katërt ka të bëjë me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare për zgjedhjet e 28 qershorit. Të gjithë faktorët euroatlantikë i kanë njohur këto zgjedhje si më të mirat e zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, kuptohet, duke iu referuar konsideratave të OSBE-ODIHR-it, si certifikues të pranuar nga palët vendase.

Të katër arsyet dhe rrethanat e mësipërme e kanë bërë nismën e Ramës të pamundur për të qenë e suksesshme. Në mungesë të legjitimitetit nga brenda partisë së tij, brenda vendit dhe jashtë vendit, kjo nismë është e destinuar të dështojë. Aq më shumë kohë kalon aq më tepër kryetari i Partisë Socialiste e kupton këtë situatë të vështirë në të cilën gjendet. Kokëfortësia e tij e ka tejkaluar dhe arsyen e pikënisjes së bojkotit dhe protestave, atë të justifikimit të mosdorëheqjes nga kreu i partisë që drejton. Por, ai ka shkuar aq larg, saqë, me sa duket, e ka të pamundur të tërhiqet, sepse kjo do të ishte njëlloj me dorëheqjen nga partia. Ndaj, në këto rrethana, në veprimet politike të zotit Rama nuk ka asgjë politike, për sa kohë nuk udhëhiqet nga arsyeja, por nga pasioni për veten dhe fatin e tij politik. E thënë shkoqur, kryetari i PS-së është futur në një rreth vicioz, nga i cili nuk ka asnjë ide se si do të dalë. E vetmja gjë që është e sigurt në këtë qerthull paqartësie, është kokëfortësia e tij për të vazhduar këtë rrugë pa dalje, duke harruar një detaj shumë të rëndësishëm. Një parim themelor të politikës, që është art i së mundshmes dhe shumatore e vendimeve të prira nga arsyeja dhe jo nga pasioni apo ankthi dhe përjetimet emocionale të politikanit. A është Rama i pari që ka rënë viktimë e këtij gabimi? Përgjigja do të ishte “jo”, pasi politikanët janë njerëz dhe natyrshëm rrëmbehen nga pasionet e gjithfarëllojta. Ajo që është e rëndësishme, është se zoti Rama duhet të nisë të mendojë një “way-out” nga kjo situatë, që, me sa duket, nuk e dëmton as vendin, as institucionet e as mazhorancën, por vetë atë dhe partinë që drejton, e cila po izolohet përditë e më shumë nga gjithçka. Sa për aleatët e tij të momentit, zoti Rama nuk pse shqetësohet. Ata mund të ndjekin fatin e tyre edhe pa atë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›