Policë të qarkullimit rrugor? Jo, gjobëvënës
Kudo nëpër Tiranë janë shpërndarë policë të qarkullimit rrugor. Ata i sheh në qoshe strategjike, rëndom disa metra larg ndonjë kryqëzimi, me makinat e motor-çikletat e tyre të parkuara shkujdesshëm buzë rrugës, dy e nga dy, tre e nga tre e në ndonjë rrethanë një duzinë, e në të gjitha rastet me bllok në dorë. Është një bllok, që në duart e tyre është prore i hapur, gati për të nënshkruar gjobën e radhës mbi kurrizin e viktimës së radhës. Nuk kuptohet se çfarë kriteresh kanë e çfarë logjike ndjekin në stopimin e makinave për kontroll. Ndoshta nuk kanë asnjë kriter. Ata ndalin ashtu kuturú, atë që hera ua sjell në pusinë e ngritur, dhe janë të sigurtë se një gjë do ia gjejnë si kundravajtje për ti lënë në këmbim atë gjobë të mallkuar në dorë. Duket sikur dalin në punë me detyrën për të zënë në gabim grahësit e makinave, e jo me synimin për të vënë rregull në rrugët e rrëmujshme të Tiranës. Të bëhet pra se nuk janë policë, por gjobëvënës.
respublica.al
http://respublica.al/artikuj/2012/4/30/police-te-qarkullimit-rrugor-jo-gjobevenes