E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët e arrestuar, hetime për rekrutimin e tyre

08/04/2010 Besnik Preni dyshohet se ka qenë me dosje penale para se të bëhej polic

Akuza i dokumenton dy raste. Çdo muaj marrin nga 150 mijë lekë

TIRANE- Arrestimi i dy efektivave të komisariatit nr. 3 Preng Froku dhe Besnik Preni, nuk ka nxjerrë në sipërfaqe vetëm korrupsionin e uniformave blu me persona të skeduar, por në të njëjtën kohë ka shtuar dyshimet mbi mënyrën e rekrutimit të tyre në radhët e policisë së shtetit. Këto dyshime vijnë pas informacioneve që Prokuroria e Tiranës ka siguruar për njërin prej efektivave të arrestuar, i cili quhet Besnik Preni 34 vjeç me detyrë ndihmës specialist në seksionin kundër krimeve ndaj pronës. Sipas burimeve, Preni është njohur nga agjentët e policisë si kontingjent kriminal, pasi për të ekziston dosje penale, ku dyshohet se Preni është implikuar me grabitësit e autobusëve. Kjo veprimtari kriminale mësohet se është kryer përpara se Besnik Preni të rekrutohej në radhët e policisë. Pikërisht për këtë arsye njësia hetimore Task-Forcë ka filluar hetimet kryesisht për të mësuar personat që kanë ndihmuar Prenit që të jetë pjesë e policisë së shtetit, pasi sipas ligjit të kësaj të fundit punonjës policie nuk mund të bëhet një shtetas me dosje penale. Burimet thanë se do ndjekin të gjithë praktikën e futjes në punë të efektivit të arrestuar, dhe në qoftë se do konstatojnë abuzime, atëherë ata paralajmëruan se numri i të arrestuarve në këtë çështje do të rritet. Ndërkohë që për sa i përket arrestimit të Frokut dhe Prenit, akuza tha se ndaj tyre janë dokumentuar dy raste, ku efektivat e policisë shfaqeshin duke u marrë para grabitësve të autobusëve. Sipas tyre, kjo gjë bëhej në një kohë kur ata duhet t’i arrestonin, por në bazë të një marrëveshje policë-hajdutë, palët kishin rënë dakord që në fund të muajit t’i dorëzonin në formën e rrogës një shumë financiare që kapte shifrën e 150 mijë lekëve të vjetra.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›