E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët e e vrarë, Berisha në familjet e tyre për ngushëllim

Kryeministri Sali Berisha ka vuzituar familjet e 4 policëve të rënë në krye të detyrës për t'i ngushëlluar për humbjen e të dashurve të tyre.
Kryeministri Berisha u shprehu familjarëve të Fatos Xhanit, Saimir Duçkollarit, Kastriot Feskaj, dhe Altin Dizdari ngushëllimet më të thella të tij dhe të qeverisë që ai drejton për humbjen e jetës së njerëzve të dashur të tyre, duke vlerësuar se kjo humbje është një dhimbje e madhe për të gjithë, por heroizmi i tyre është frymëzues për çdo shqiptar. Duke e cilësuar aktin e tyre heroik, kryeministri Berisha u shpreh se kjo është një dhimbje që, po aq sa familjarët, e kanë ndjerë të gjithë shqiptarët, sepse ata dhanë jetën për atë që është më e shtrenjtë për gjithë shqiptarët, për sigurinë, qetësinë, rendin dhe ligjin. Dhimbja është e madhe, tha Kryeministri, por banda u eliminua dhe kjo është ngushëllim për jetën e tyre.
Kryeministri Berisha, siguroi se lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar është dhe do jetë në qendër të përpjekjeve të qeverisë dhe të të gjitha strukturave të rendit në vend. "Nuk ka gjë më të rëndësishme për ne", tha kryeministri, "se lufta kundër krimit të organizuar dhe ky ishte një rast që na nxit të rishikojmë çështjen e ligjeve të luftës ndaj krimit". "Beteja kundër krimit", vijoi Kryeministri, "është një betejë jetike për shqiptarët dhe sakrifica e efektivëve të policisë ka qenë, është dhe do të jetë përcaktuese për të ardhmen e vendit tonë. Ata ishin më të mirët e më të mirëve, kishin një karrierë të shkëlqyer dhe ranë vetëm sepse donin të zbatonin ligjin. Ata nuk donin të qëllonin, por të zbatonin ligjin". "Krimineli dhe banda e tij", tha kryeministri, "do të marrë ndëshkimin e merituar".
Duke shprehur jo vetëm dhimbjen e thellë, por edhe solidaritetin me fëmijët, bashkëshortet dhe familjarët, kryeministri Berisha i siguroi se qeveria do të qëndrojë në mbështetje të plotë të tyre dhe do të ndërmarrë vendime të tjera që rishikojnë statusin e të rëniet në krye të detyrës. "Të jeni të sigurt se, përveç të dashurit të tuaj, asgjë nuk do t'u mungojë fëmijëve dhe familjarëve të të rënëve, pasi sakrifica e tyre meriton çdo mbështetje ndaj jush", theksoi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›