E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët e vrarë, trupat përcillen në banesën e fundit

Katër policët e vrarë u përcollën në banesën e fundit në varrezat e "Dëshmorëve të Kombit". Të pranishëm në ceremoninë mortore për t'i dhënë lamtumirën e fundit, veçse familjarëve, miqve e të afërmve ishin edhe presidenti Bamir Topi, kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ministrit i Mbrojtjes, Gazmend Oketa si dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani i vlerësoi policët e vrarë si heronj të pavdekshëm. "Sot ne ndahemi nga 4 heronj , por marrim trashëgim prej tyre vendosmërinë për të vazhduar luftën e ashpër me krimin", tha Nishani.
Katër efektivët e policisë u nderuan dje me titullin "Dëshmorë të Kombit". Katër efektivët Fatos Xhani,Altin Dizdari, Saimir Duçkallari dhe Kastriot Feskaj do të prehen përkrah mijëra dëshmorëve të tjerë të atdheut në varrezat "Dëshmorët e Kombit".
Katër policët e rënë dje gjatë një operacioni për arrestimin e Dritan Dajtit, u nderuan nga zyrtarë dhe klasa politike shqiptare në Pallatin e Kongreseve nga ora 11:00-13:00. Ka qenë Avokati i Popullit ai që nisi homazhet. Për të nderuar policët e vrarë ka bërë homazhe, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, si dhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Efektivat e policisë janë nderuar edhe nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, kryetarja e grupit parlamentar në PS, Valentina Leskaj dhe sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në selinë rozë, Arta Dade. Homazhe për policët e rënë ka zhvilluar edhe Presidenti i televizionit, "Ora Neës", zoti Ylli Ndroqi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.
Në nderim të katër policëve, kryeministri Berisha ka shpallur ditën e sotme, Ditë Zie Kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›