E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria i bie në erë trafikut

Ende nuk është regjistruar një procedim për trafik të mirëfilltë armësh nga Gërdeci, por po verifikohen deklarimet e një punëtori që ka pohuar se në fabrikë paketoheshin fishekë. Koha kur Trebickës i hiqet paketimi i municioneve, përkon me atë të fillimit të punës së fabrikës së firmës amerikane dhe të Delijorgjit

TIRANË - Prokuroria e Tiranës duket se ka rënë në gjurmët e trafikut të fishekëve, që dyshohet të jenë kryer nga firma “Albademil”, e administruar nga Mihal Delijorgji. Pas denoncimeve në media për një trafik të mundshëm municionesh me “firmë dhe vulë zyrtare”, prokuroria ka gjetur dhe elementet e para që mund të hedhin dritë mbi këtë çështje, që së fundmi u bë dendur objekt i investigimeve të medias dhe i debatit publik e politik. Burime nga Prokuroria e Tiranës i thanë “Korrierit”, se në fabrikën e Gërdecit përveç procesit të çmontimit të predhave luftarake, dyshohet të jetë bërë edhe paketimi i municioneve për eksport, në bazë të një marrëveshjeje të lidhur mes ndërmarrjes shtetërore “Meico” dhe asaj amerikane “AEY”. Në ndihmë të prokurorisë, për të zbuluar gjurmët e para të kësaj çështjeje që ende shihet me skepticizëm, ka ardhur dëshmia e njërit prej punonjësve të fabrikës së Gërdecit. Sipas prokurorisë, punëtori të cilit nuk i bëhet i ditur identiteti, mësohet të ketë thënë se në fabrikën e administruar nga firma “Albademil” veç demontimit të predhave të kalibrave të ndryshëm, kryhej edhe paketimi i fishekëve për arsye eksporti. Bëhet fjalë për tregtinë e fishekëve, ku i nënkontraktuar nga firma amerikane “AEY” ishte denoncuesi i parë i skandalit, Kosta Trebicka, i cili u “shmang” nga kjo tregti në një mënyrë ende shumë të paqartë. Trebicka në prononcimet e tij në media deklaroi se nga mesi dhe fundi i muajit maj të vitit të shkuar, i është hequr nga duar puna që duhej të bënte firma e tij për paketimin e municioneve të destinuara për eksport, edhe pse ishte përzgjedhur nga kompania amerikane. Ajo që i ka nxitur prokurorët të investigojnë mbi këtë çështje, është përputhja e kohës gjatë së cilës ka nisur punën firma “Albademil” dhe pretendimit të Kosta Trebickës, se në fundin e muajit maj i është hequr tenderi për paketimin e municionit. Dhe pikërisht një gjë e tillë është bërë pas një takimi mes drejtorit të ndërmarrjes shtetërore “Meico”, që ka varësi direkte nga Ministria e Mbrojtjes, Ylli Pinari, administratorit të kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji, përfaqësuesit të firmës amerikane “AEY” Diverolit dhe një personi rreth 28-30 vjeç, i cili është paraqitur si “shefi” i Pinarit, por deri ditën e djeshme identiteti i tij ka vazhduar të jetë mister. Sipas prokurorisë, një moment i tillë do të verifikohet në bazë të dokumentacionit të sekuestruar lidhur me nisjen e tenderit për eksport municionesh dhe nisjen e veprimtarisë së firmës së Delijorgjit. Aktualisht, hetuesit e çështjes kanë në dorë dëshminë e njërit prej punëtorëve, që pritet të pasohet nga dëshmi të tjera dhe periudhën kohore në të cilën janë zhvilluar këto procese që përkojnë me fundin e muajit maj dhe fillimin e qershorit, kohë në të cilën kompania amerikane “Southern Ammunition Company Inc” dhe “Meico” kanë lidhur kontratën për demontim municionesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›