Greqi, mbyten në kanal dy të rinj shqiptarë
Trupat janë gjetur në kanalin që furnizonte me ujë një hidrocentral të vogël pranë kufirit shqiptaro- grek
KORÇË- Dy të rinj shqiptarë mbeten të mbytur në rrethana krejt të paqarta në një kanal, rreth 40 kilometra larg qytetit të Selanikut në një hidrocentral. Policia greke ka mundur të identifikojë vetëm pas 24 orësh dy të rinjtë, ndërsa nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje e cila është mbushur me mister të plotë. Trupat e pajetë të të rinjve 23 dhe 25- vjeç, janë zbuluar dy ditë më parë nga disa kalimtarë, ndërsa ata ndodheshin të dy fare pranë njëri-tjetrit në një kanal. Sipas policisë greke e cila është duke hetuar vdekjen e dy emigrantëve shqiptarë që jetonin prej disa kohësh në shtetin Helen, trupat e tyre u gjendën në një kanal ujërat e të cilit mbushin liqenin e vogël të hidrocentralit që ndodhet në zonën e Agras të Pellës, 40 km në perëndim të Selanikut.
***
Madje ka qenë pikërisht roja i këtij hidrocentrali i cili ka konstatuar fillimisht kufomat e dy shqiptarëve, duke njoftuar me urgjencë drejtuesit e ndërmarrjes ku punonte dhe në mënyrë paralele dhe policinë lokale. Gentian Fati dhe Adrian Vreto, përkatësisht 23 dhe 25- vjeç, të dy nga qyteti i Librazhdit, janë të rinjtë fatkeqë që nuk dihet se për çfarë motivesh janë detyruar të futeshin në këtë kanal. Nga të dhënat e para mendohet se ata kanë hyrë në kanalin me ujë për tu freskuar dhe nga vapa e madhe me temperatura të larta që shoqërojnë këtë zonë të Greqisë Veriore. Sipas policisë greke, dy të rinjtë duket se ishin kalimtarë dhe drejtoheshin drejt qytetit të Edesës, jo shumë larg kufirit me Shqipërinë përderisa u janë gjetur disa metra larg kanalit dy çanta me rroba të cilat i kishin me vete. Ata kanë hyrë në ambientet e ndërmarrjes elektrike që gjendet vetëm 10-20 metra larg kanalit fatal që iu ka marrë dhe jetën dhe për arsye që deri tani nuk dihen kanë përfunduar në ujërat e thella të kanalit. Madje siç supozojnë specialistët grekë, të cilët janë duke hetuar për ngjarjen, ndoshta viktima e dytë është hedhur në ujë për të shpëtuar të parin nga mbytja. Në këtë vend thellësia e kanalit tejkalon dhjetë metrat. Trupat e tyre i ka gjetur roja i hidrocentralit porsa ka shkuar në punë dy ditë më parë, duke vënë më pas alarmin.
***
Sipas policisë greke zona ku janë gjetur shqiptarët është një zonë e sigurisë së lartë dhe e ndaluar për gjithkënd, por janë ende të paqarta motivet që i kanë shtyrë Gentian Fatin dhe Adrian Vreton që bashkë me ëantat me rroba që mbanin me vete të hynin aty. Sipas vlerësimeve të policisë greke, vdekja e tyre nuk vjen si rezultat i ndonjë veprimi kriminal, përderisa mbi trupat e tyre nuk është gjendur asnjë shenjë e dyshimtë dhune, ndërsa nga ana tjetër edhe raporti i mjekut ligjor tregon se shkaku i vdekjes është mbytja aksidentale për të dy të rinjtë emigrantë me banim të përkohshëm në Greqi. Identifikimi i trupave është kryer menjëherë pas marrjes së shenjave të gishtave. Ndërkaq trupat e pajetë të dy të vdekurve në mënyrë aksidentale, por dhe njëherësh të paqartë në një kanal në një hidrocentral të vogël në Greqi, janë kthyer gjatë mbrëmjes së kaluar në Shqipëri. Sipas burimeve zyrtare të policisë kufitare në Kapshticë mësohet se trupat e pajetë të dy të rinjve emigrantë janë kthyer gjatë orëve të vona të së enjtes nëpërmjet vendkalimit kufitar, ndërsa të afërm të tyre kanë qenë duke i pritur në Kapshticë prej shumë orësh. Xhon Baka