E Shtunë, 31 Tetor 2026

Voskopojë, plani rregullues dikton prishjen e 19 ndërtimeve

KORÇË - 19 objekte, ndërtuar pa leje në fshatin turistik Voskopojë do të prishen edhe pse tashmë janë në proces legalizimi. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i Inspektoriatit Urbanistik Kombëtar, Abdyl Drabo. Ai tha për 'Shekulli-Online' se "kemi marrë një aksion për evidentimin e ndërtimeve në këtë zonë, fill pas miratimit të Planit Rregullues nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit.


"Vetëm dy muaj pasi KKRRTRSH-ja, miratoi planin rregullues të fshatit turistik Voskopojë, ne kemi inspektuar në këtë fshat, duke gjetur 19 ndërtime pa lejë që nuk përputheshin me planin e ri rregullues", tha Drabo. Pjesa më e madhe e ndërtimeve, sipas tij, janë shtëpi banimi dhe dyqane.


Plani rregullues nuk mund të përputhet, thekson Drabo, me të gjitha ndërtimet e paligjshme, duke lëmë të nënkuptohet se një pjesë e këtyre ndërtimeve, edhe pse janë futur në procesin e legalizimeve do të prishen.


Voskopoja është një fshat turistik me vlera natyrore, kulturore dhe historike i cili vitet e fundit ka thithur shumë vizitorë vendas e të huaj. Ndodhet 21 km larg qytetit të Korçës.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›