E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PD-së vendos: Berisha votbesohet më 12 dhjetor

Partia Demokratike ka vendosur më së fundi të mbledhë Kuvendin e saj Kombëtar për të zgjedhur forumet e saj drejtuese, në të gjithë piramidën e saj nga qendra deri në bazë. Kryesia e Partisë Demokratike vendosi ditën e djeshme thirrjen e Kuvendit Kombëtar Zgjedhor, si organin më të lartë vendimmarrës, i barazvlefshëm ky me Kongresin që kanë forcat e tjera politike, për të bërë rifreskimin e të gjitha forumeve të saj drejtuese. Kuvendi do të mbahet më 12 dhjetor të këtij viti dhe në të pritet të zgjidhet kryetari i ri i kësaj force politike, ku natyrisht me shumë gjasa do të rikonfirmohet sërish lideri aktual i saj Sali Berisha.

Ky Kuvend Kombëtar Zgjedhor do të jetë akti final i procesit të analizave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 Qershorit si dhe i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në kuvendet e degëve. Ky proces paraprak, deri në mbajtjen e këtij forumi të lartë vendimmarrës, PS-ja do të zhvillojë procesin e analizave të zgjedhjeve të 28 Qershorit, ku natyrisht do të tentojë të nxjerrë rezultatet e duhura për të bërë korrigjimet e nevojshme në drejtimin e strukturave lokale, me qëllimin për të shmangur defektet të vërejtura gjatë procesit të shkuar të zgjedhjeve parlamentare.

Përveç analizës për zgjedhjet, kryesia e selisë blu, në kuadrin e plotësimit të detyrimeve statutore vendosi që të ngrejë Komisionin e Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë. Ky komision do të jetë nën drejtimin e nënkryetarit të Partisë Demokratike Astrit Patozi. Ndërkohë, në lidhje me zgjedhjet në parti, në mbledhjen e kryesisë është ndarë edhe një manual i mënyrës sesi do të kryhet ky proces. Pjesë e vendimit ishte edhe ngritja e Komisionit për Rishikimin e Statutit, që do të kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode. "Kryesia e Partisë Demokratike ka bindjen e plotë se ky proces zgjedhor do të fuqizojë më tej Partinë Demokratike në të gjitha nivelet dhe përbën një moment të rëndësishëm të bazës elektorale dhe përfaqësimit publik të Partisë Demokratike", - u shpreh zëdhënësja e selisë blu, Erla Mehilli, në një komunikim me mediat, në lidhje me vendimmarrjen e kryesisë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›