Policia Bashkiake nis shembjen e pallatit pa leje në Tiranë

Pallati pa leje
Policia Bashkiake e Tiranës nisi sot prishjen e një pallati pa leje, të ndërtuar në rrugën Ismail Strazimiri. Pas konstatimit të ndërtimit, Policia Bashkiake në fillim bllokoi punimet, bëri akt-kontrollin dhe mori masat për shembjen e ndërtesës si dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme.
Pallati pa leje ishte bërë shqetësim për komunitetin dhe banorët e zonës e denoncuan rastin, në Policinë Bashkiake, pas thirrjes që bëri Bashkia, ku i kërkoi qytetarëve që të bashkëpunonin me autoritetet, për vendosjen e ligjshmërisë në territorin e kryeqytetit.
Bashkia e Tiranës sot po zbaton Ligjin. Ne jemi të vendosur dhe ligji do të sundojë në territorin e kryeqytetit. Kemi konstatuar dhe bllokuar edhe raste të tjera të ndërtimit informal. Zbatimi i ligjit do të jetë i vazhdueshëm dhe do të kthehet në rutinën e përditshme të punës. Ju bëjmë edhe një herë thirrje qytetarëve, të bashkëpunojnë me Policinë Bashkiake si dhe u bëjmë thirrje qytetarëve, të mos ndërtojnë pa leje. Ligji do të zbatohet në mënyrë rigoroze, sepse ligji i shërben qytetit, i shërben qytetarëve, – u shpreh sot, Drejtori i Policisë Bashkiake, z.Florenc Hoxha.
Aksioni do të vazhdojë, deri në kthimin në gjendjen fillestare. Policia Bashkiake do të kujdeset, edhe për pastrimin e territorit.
Deri tani, Policia Bashkiake ka bërë bllokimin e punimeve, në 107 raste të ndërtimeve pa leje.