E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO penalizon qeverinë, i kufizon aksesin në dokumente

NATO kufizon aksesin e Shqipërisë për të hyrë në rrjet dhe për të parë informacionet që kanë të bëjnë me energjinë bërthamore. Vendimi është marrë së fundmi nga selia e Aleancës dhe i është komunikuar qeverisë shqiptare, Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo masë vjen pas alarmit të lëshuar vitin e kaluar, hetimeve të nisura nga NATO për të zbuluar rrjedhjen e sekreteve, disa incidente me shpërndarje informacioni apo humbje lap-topësh në ambasada.

Skandali i vitit të kaluar, ku njerëz me imunitet dhe certifikatë për të kontrolluar informacionet sekrete të NATO-s, kryesisht operacionet e luftës, kanë hyrë duke marrë sekrete dhe shpërndarë ato tek agjenturat serbe, ruse dhe arabe. NATO u vu në alarm, Rasmusen erdhi vetë në Tiranë duke i kërkuar kryeministrit Sali Berisha shpjegime. Por lajmi nuk u bë zyrtarisht publik, edhe pse u cilësua skandal. NATO në zyrat e saj hetoi në mënyrë të pavarur këtë ngjarje duke zbuluar emra deputetësh të mazhorancës që kishin hyrë në sistem duke përdorur informacionet. Më tej u përpunuan të dhënat rreth veprimtarisë së tyre dhe lidhjet me elementët që u kishin shpërndarë informacionet. Mendohet për dekonspirim të disa operacioneve të rëndësishme në frontin e Lindjes në operacione anti-terroriste. Së fundmi, ashtu siç ka publikuar në një seri të shumtë shkrimesh agjencia AMA, NATO ka arritur të zbulojë njerëzit e përfshirë në këtë skandal, duke konkluduar se Shqipëria përbën rrezik në ruajtjen e sekreteve të rëndësisë së veçantë. Prej sot e më tej asnjë person, qoftë dhe vetë kryeministri, nuk do të lejohen të kontrollojnë informacionet që kanë të bëjnë me energjinë bërthamore, operacionet top-sekret dhe të dhëna të tjera. Ndërkohë që po vazhdojnë hetimet për të mësuar më tepër rreth sekreteve të shitura nga parlamentarët shqiptarë tek agjenci jo mike të NATO-s dhe SHBA-ve.

Mësohet se shumë prej operacioneve kishin të bënin në goditjen e elementëve terroristë dhe ndjekjes së Bin Laden në Pakistan. Kujtojmë këtu se Drejtori e Informacionit të Klasifikuar në qeveri ka qenë nën hetim deri në zbardhjen e njerëzve që kishin certifikata për të hyrë në sistemin e kodifikuar të sekreteve operacionale. Mësohet se këtë akses e kanë deputetët e Komisionit të Sigurisë, disa gjeneralë të autorizuar nga NATO në Ministrinë e Mbrojtjes dhe disa njerëz në kabinetin qeveritar, ku përfshihet Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar. Gjatë ngushtimit të rrethit të hetimeve janë gjetur edhe parlamentarët që kanë hyrë në këtë rrjet dhe marë sekretet vitin e kaluar duke i shitur tek agjenturat e huaja, por NATO nuk i ka bërë asnjëherë publik emrat e tyre për shkak të çështjes së nxehtë. Mirëpo kjo nuk e ka penguar që të penalizojë së fundmi qeverinë shqiptare, duke e cilësuar një partner jo të sigurt.

*AMA NEWS

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›