Policia Bashkiake, reprezalje ndaj romëve. Këshilltarët e majtë: Të ndalet dhuna dhe veprimet e paligjshme
Vend grumbullimi ku romët depozitojnë mbeturinat plastike (shishe plastike e kanoçe) që mbledhin nga kazanët e plehrave të Tiranës, gjatë ditës së sotme është shndërruar në një vend përleshje mes policisë bashkiake dhe romëve, raporton A1Report. Rreth orës 11:00 të mesditës, në pikën e grumbullimit që ndodhet pas burgut 313, tek shinat e stacionit të trenit, ka mbërritur kreu i policisë bashkiake, Florenc Hoxha, i shoqëruar me dhjetëra policë bashkiake, një fadromë dhe një kamion i madh, të cilët, pavarësisht kundërshtimeve të forta të romëve dhe të pronarit që kishte këtë pikë grumbullimi janë futur brenda saj dhe kanë marrë motorat që ndodheshin në atë moment në këtë pikë grumbullimi dhe mbeturinat. Madje, në këtë pikë ka pasur edhe një përleshje mes kreut të policisë bashkiake Hoxha, i cili ka nxjerrë shkopin e gomës dhe ka filluar ti ofendojë vetë romët. Ndërkohë që disa prej romëve të pranishëm në këtë moment tensioni kanë regjistruar gjithçka, pamjet të cilat i disponon A1Report.
Për këtë ngjarje kanë reaguar edhe këshilltarët e majtë në Këshillin Bashkiak. Ata thonë se aksioni ishte i paligjshëm, kurse dhuna është e patolerueshme. Në deklaratën e tyre thuhet se është kërcënuar edhe një anëtar i Këshillit Bashkiak, përfaqësues i opozitës.
Këshilltarët e opozitës në këshillin bashkiak të Tiranës kanë marrë sot denoncime të shumta nga pjesëtarë të komunitetit rom, të cilët shprehen të shqetësuar për dhunën e ushtruar ndaj tyre nga ana e zyrtarëve me uniformë të bashkisë së Tiranës. Sipas tyre, gjatë ditës së sotme bashkia e Tiranës në mënyrë të dhunshme ka organizuar një aksion, duke iu sekuestruar mjete motorike dhe infrastrukturën ku ata ushtronin veprimtarinë e tyre, pranë stacionit të trenit, pa lajmëruar dhe pa iu dorëzuar një bazë ligjore për ndërhyrjen e tyre. Sipas denoncimeve, zyrtarët me uniformë të bashkisë kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të komunitetit rom të pranishëm në këtë territor. Ndërsa kanë kërcënuar edhe një anëtar të këshillit bashkiak të Tiranës, i cili ndodhej në vendngjarje, si përfaqësues i mandatuar, në solidaritet të banorëve. Ne i kërkojmë menjëherë kryetarit të bashkisë së Tiranës të ndalë çdo veprim joligjor, të ndalë dhunën ndaj pjesëtarëve të komunitetit rom dhe të mbajë përgjegjësinë ndaj shantazhit dhe kërcënimeve që një zyrtar i policisë bashkiake ka kryer ndaj Florian Pullazit, anëtarit të këshillit bashkiak të Tiranës, përfaqësues i opozitës, thuhet në deklaratën e tyre.
I kërkojmë organizatave jo qeveritare dhe Avokatit të Popullit të denoncojnë aktet e dhunës dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, siç po ndodh ndaj komunitetit rom prej disa ditësh nga institucioni që është për tu shërbyer qytetarëve dhe jo për ti dhunuar ata. Qytetarët e Tiranës po paguajnë çdo ditë kosto të rëndë për buzëqeshjen e djalit që vodhi zgjedhjet për të vazhduar vjedhjen dhe dhunën ndaj qytetarëve.
Romët janë ankuar se në biznesin e tyre të mbledhjes së kanaçeve dhe plastikave do të ndërhyjë Kunati. 1 kg mbetje plastike në pikat e grumbullimit në Tiranë shitet me 30 lekë. Çdo njeri që grumbullon nga këto mbeturina, sipas përllogaritjeve fillestare përfiton 800 deri në 1 mijë lekë në ditë. Por, interesi në këtë treg është i madh për kompanitë e mëdha, pasi në tregjet europiane ku biznes lëviz sipas çmimit të bursës dhe një ton mbetje të riciklueshme shkon në 250 deri në 300 dollarë. Nuk dihet ende cila kompani është e interesuar në Shqipëri për të marrë monopolin e këtij tregu, i cili deri më tani ka njohur disa zhvillime modeste dhe të kufizuara.