E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia Bashkiake rrëzon pallatin 5-katësh në Tiranë, ishte pa leje

SHKRUAN: Habjon Hasani 11-08-2011 12:03

Operacioni i Policisë Bashkiake të Tiranës mbi ndërtimet pa leje ka arritur në pikën kulmore dje, me shembjen e një pallati 5-katësh në rrugën “Ismail Strazimiri”. Drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, ishte i pranishëm dje në mëngjes, në fillimin e aksionit të prishjes së ndërtesës, që nuk kishte asnjë dokumentacion. “Jemi të vendosur të zbatojmë ligjin. I bëjmë thirrje qytetarëve të na mirëkuptojnë të zbatojmë ligjin.”- deklaroi Florenc Hoxha në një prononcim për mediat. Sipas të dhënave të ofruara nga Policia Bashkiake e Tiranës, rezulton se pronari kishte marrë leje në bashki për ndërtimin e një kati, ndërsa pallati ishte ngritur 5 kate mbi tokë. Banorët e shtëpisë ngjitur me pallatin në ndërtim ishin ankuar se godina e re kishte dëmtuar themelet dhe muret mbajtëse të shtëpisë së tyre, madje dëmtimet në çatinë e tyre kanë qenë evidente. Sipas policisë bashkiake, ky ndërtim pa leje nuk ishte i pari për pronarin, i cili kishte kryer edhe disa ndërtime të tjera pa leje në zona të tjera të Tiranës, të cilat janë evidentuar nga Inspektoriati Ndërtimor dhe do procedohet sipas ligjit. Policia bashkiake është në fazën e analizimit të vendndodhjes së të gjitha ndërtimeve pa leje në të gjithë Tiranën, për të proceduar më pas me prishjen e tyre. Bashkia e Tiranës njoftoi pesë ditë më parë pezullimin e një numri të konsiderueshëm ndërtimesh pa leje. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Bashkisë, Anila Bisha, tha se gjatë këtyre ditëve Bashkia e Tiranës ka evidentuar dhe më pas pezulluar në total 67 ndërtime pa leje. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të kryeqytetit që të distancohen dhe të denoncojnë rastet e ndërtimeve pa leje. “Mos ndërtoni pa leje, nuk do të tolerohen, në çdo rast përgjegjësit do të ballafaqohen me ligjin” - tha zëdhënësja e Bashkisë. Bashkia ka vënë në dispozicion të çdo kujt edhe një numër telefoni, ku mund të denoncohen të gjitha rastet e ndërtimeve pa leje. Aktualisht Bashkia e Tiranës dhe Policia Bashkiake kanë prioritet kryesor ndërtimet që janë në proces dhe që në pjesën dërrmuese janë denoncuar prej vetë qytetarëve, ndërsa zyrtarë të Policisë Bashkiake konfirmojnë se fillimisht do të fokusohen në pezullimin e ndërtimeve në proces dhe në shkatërrimin e tyre, ndërsa në bashki është krijuar dhe një dosje të dhënash që kanë lidhje me ndërtimet pa leje të evidentuara tashmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›