Hoxha: Ndërprisni punimet pa leje, s’do kursejmë askënd
Kreu i policisë bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha, në një prononcim për MAPO-n ka shpjeguar arsyet e rrëzimit të pallatit 5-katësh, dje në Tiranë. Ai u bën thirrje qytetarëve të ndërpresin punimet pa leje, duke pohuar se askush nuk do të kursehet në zbatim të ligjit.
Zoti Hoxha, keni nisur dje prishjen e një pallati 5-katësh. Cilat janë arsyet e këtij aksioni?
Së pari, më lejoni t’ju informoj se ndërtesa nuk ka patur asnjë leje. Madje, edhe trualli nuk ka qenë ligjërisht në pronësinë e ndërtuesit. Ka patur një jashtëligjshmëri prej 360 gradësh në atë ndërtim, madje pronari i ndërtimit pa leje në fjalë, rezulton pronar edhe i disa godinave të tjera, të ngjashme, në qytetin e Tiranës. Është pak absurde që një person i vetëm të ndërtojë në shkelje të plotë të ligjit me kaq guxim dhe në disa vende njëherësh. Unë mendoj se për ta bërë këtë gjë, pronari ka patur mbështetjen e strukturave të mëparshme të policisë bashkiake.
Si do të procedoni në ditët në vijim me ndërtimet pa leje? Sa ndërtesa keni piketuar?
Nuk kemi ende një bazë të dhënash të saktë, pasi jemi në proces verifikimi. Por prioriteti ynë absolut janë ndërtimet në proces, pra ndërtimet pa leje që janë duke u ndërtuar aktualisht. Ne do të fokusohemi në cilindo ndërtim pa leje që do të evidentojmë dhe nuk do të ketë asnjë lloj tolerancë ndaj askujt. Me pak fjalë, do zbatohet ligji pa asnjë dallim dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë, njëherë e mirë. Bisedoi: H.Hasani