E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg Mamlit, mashtroi me 23 automjete

 

TIRANE – Hektor Mamli, 32-vjeçari që merrte para borxh duke lënë si garanci makina që nuk ishin të tijat, pranoi dje në gjykatën e Tiranës marrjen e parave. Por pretendimet e 32-vjeçarit se e kishte bërë për arsye ekonomike, edhe se do t’i kthente sërish paratë, nuk e kanë bindur gjykatën që e la atë në “arrest me burg”. Në seancën e caktimit të masës së sigurisë ndaj tij, Mamli pohoi se kishte marrë rreth 70 mijë euro nga persona të ndryshëm. “Këtë e kam bërë për arsye ekonomike”, është shprehur Mamli para gjykatës. Gjithashtu ai pretendoi para togave të zeza se në momentin e arrestimit ishte duke udhëtuar drejt Turqisë, ku do të siguronte edhe paratë për kthimin e borxheve.  Hektor Mamli u prangos ditën e enjte teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria në pikën kufitare të Morinës. Emri i Mamlit ishte “qarkuar” disa muaj më parë nga sektori i antikrimit ekonomik të policisë së kryeqytetit. Hetimet ndaj tij kishin filluar pas disa kallëzimeve për mashtrim të deponuara nga disa kompani automjetesh në kryeqytet. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Mamli kishte mashtruar disa persona dhe disa prej kompanive që mundësojnë dhënien e makinave me qira në Tiranë. Burimet saktësuan se ai kishte mundur të merrte me qira me anë të mashtrimit 23 automjete në kompani të ndryshme, që arrinin një shifër prej 150 mijë euro. Makinat që merrte me qira ai ua linte si garanci personave që u merrte para borxh, në shuma që varionin nga 5-8 mijë euro.                          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›