E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia australiane, në kërkim të zjarrvënësve

Policia e shtetit australian Viktoria, i dëmtuar rëndë nga zjarret e ditëve të fundit, bëri me dije se është në gjurmët e njerëzve që shkaktuan me dashje disa prej vatrave të flakëve. Me këtë qëllim, autoritetet kanë krijuar një trupë të posaçme të përbërë nga 100 vetë, të cilët janë vënë menjëherë në punë për të zbuluar fajtorët për zjarrëvëniet në disa zona që janë cilësuar si skena krimi. Kryeministri australian e kishte përkufizuar mundësinë e zjarrëvënies me dashje si "vrasje në shkallë të gjerë". Numri i viktimave, sipas autoriteteve, deri tani është 181, por pritet të rritet teksa vazhdojnë operacionet e kërkimit të trupave. Rreth 500 vetë janë plagosur dhe rreth 1 mijë shtëpi janë shkatërruar në një zonë prej rreth 365 mijë hektarësh. Kryeministri Kevin Rud deklaroi se zonat e shkatërruara prej zjarrit më të rëndë në Australi do të rindërtohen "tullë pas tulle" e "shkollë pas shkolle". Rezidentët e disa pjesëve të shtetit Viktoria, megjithatë gjenden ende nën alarm, teksa rreth dhjetë vatra zjarri mbeten ende të ndezura e jashtë kontrollit.

Skenat e krimit

Komisionerja e policisë së shtetit Viktoria, Kristin Nikson, shpalli fillimin e operacionit "Feniks", synimi i të cilit është të zbulojë faktorët për shkaktimin e zjarreve. Një prej zonave ku mendohet se zjarri është ndezur qëllimisht është Gisplandi, në lindje të Melburnit, që tashmë është një prej qendrave të izoluara në cilësinë e skenës së mundshme të krimit. Robert MekKleland, Prokurori i Përgjithshëm i Australisë, deklaroi se zjarrvënësit e dyshuar mund të përballen me akuza për vrasje. "Nuk kemi fjalë përpara mundësisë që disa prej zjarreve mund të jenë ndezur në mënyrë të vullnetshme", u shpreh Kryeministri Rud para Parlamentit.

Hë për hë, numri i viktimave është 181, por numri një i qeverisë së shtetit Viktoria tha se dhjetëra prej tyre kanë mbetur të paidentifikuara. Ai shtoi se ky numër mund të rritet edhe më tej ndërsa vazhdojnë operacionet e kërkimit, dhe se shifra përfundimtare mund t‘i kalojë 200 viktimat. Komisionerja e policisë së shtetit Viktoria, Kristin Nikson, sqaroi se skuadrat e shpëtimit po kontrollojnë imtësisht të gjitha zonat e prekura nga flakët. "Kontrollet po bëhen kudo, rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi", u shpreh Nikson. "Por, duke qenë se tani po hyjmë në ato zona ku nuk mund të hynim më parë, druhemi se do të gjemë shumë viktima të tjera".

Kryeministri Kevin Rud bëri gjithashtu me dije se zonat e dëmtuara do të ndërtohen tërësisht, pavarësisht sa do t‘u kushtojë ky operacion arkave federale. Ai bëri thirrje edhe për dhurime në emër të solidaritetit njerëzor. Njëherësh, bëri thirrje edhe për ndihmë me gjak, para e veshmbathje, duke qenë se një pjesë e mirë e banorëve u larguan nga shtëpitë në flakë, pa marrë dot asgjë me vete.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›