E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia bllokon 39 automjete luksoze

Operacioni i koduar “Targë e Falsifikuar” ka bllokuar 39 automjete. Si rezultat i këtij operacioni nga shërbimet e ngritura në shkallë vendi janë kontrolluar dhe janë kryer verifikimet përkatëse për rreth 2700 automjete, nga të cilat 1600 automjete të kontrolluara kanë qenë me targa të huaja.

Automjetet me targa të huaja janë verifikuar nëpërmjet Sistemit TIMS nëse janë të regjistruara në kufirin shqiptar, nëse vërtetimi i hyrjes është lëshuar në mënyrë të rregullt, si dhe nëse janë të vjedhura, të trafikuara, apo me mangësi të tjera ligjore.

Nga verifikimet e kryera në Sistemin TIMS për hyrje/daljet e automjeteve me targa të huaja janë evidentuar 47 raste të qarkullimit në territorin shqiptar të automjeteve me targa të huaja, të cilat nuk figurojnë të regjistruara në kufirin shqiptar. Këto automjete janë bllokuar dhe janë kryer verifikimet nëse janë të trafikuara, apo me shmangie të detyrimeve doganore apo shkelje të tjera ligjore.

Nga 39 makinat e bllokuara, 22 prej tyre janë bllokuar në Tiranë, 5 në Durrës, 2 në Gjirokastër, 4 në Fier, 2 në Shkodër, 2 në Kukës, 1 në Vlorë dhe 1 në Elbasan. Ndërkohë, janë bllokuar 10 automjete me dokumentacion të falsifikuar, për të cilat janë kryer veprimet procedurale.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›