Ndryshimet e klimës bien në kurrizin e grave të varfra
Gratë në vendet në zhvillim janë personat që do të ndiejnë më shumë në kurrizin e tyre ndryshimet klimatike me të cilat planeti ynë ka kohë që po përballet. Ky është përfundimi i një raporti të Kombeve të Bashkuara. Sipas agjencisë, barra ndahet në mënyrë të pabarabartë në glob dhe ajo bie kryesisht te gratë. Si pasojë është urgjente arritja e një barazie më të madhe. Gratë në vendet në zhvillim përbëjnë pjesën më të madhe të forcës së punës që punon në bujqësi dhe si pasojë janë ato që i ndiejnë më shumë ndryshimet e klimës, thatësirën e tejzgjatur, apo shirat që shndërrohen në përmbytje. Ato kanë ndikim në ushqimin, energjinë dhe ujin. Gjithashtu, në raport thuhet edhe ulja e shtimit të popullsisë do të ndihmojë në reduktimin e emetimit të gazeve ndotës e të dëmshëm. Raporti sugjeronte për këtë qëllim shtimin e informacionit për planifikimin familjar, sidomos në vendet e varfra, kujdesin shëndetësor riprodhues dhe marrëdhëniet mes gjinive. Të gjitha këto mund të ndikojnë në përmirësimin e situatës. "Klima ka një ndikim te të gjithë ne, te të gjitha kategoritë e popullsisë dhe sigurisht më pas edhe te vetë zhvillimi i kombeve të ndryshme. Ato kombe që janë shumë të lidhura me bujqësinë kanë pasur edhe problemet më të mëdha gjatë viteve të fundit që janë karakterizuar nga një paqëndrueshmëri klimatike. Sipas studimeve të fundit, parashikohet që temperatura në vitin 2010 të jetë rritur me 4 gradë Celsius çka nëse do të dalë e vërtetë pritet që të ketë një efekt katastrofik ndaj ambientit, ekonomisë dhe njerëzve. Edhe migrimi do të preket nga një ndryshim i tillë, pasi do të kemi një shtim të nivelit të deteve dhe një shtim të tokave të thata që do ta bëjnë shumë të vështirë ekzistencën njerëzore në rajonet e tilla. Por ato që do të vuajnë më shumë dhe do të mbajnë barrën më të rëndë në të gjithë këtë situatë do të jenë gratë e vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim.