Policia britanike “blindon” Londrën

Në një prononcim të pazakontë publik, kreu i Agjencisë për Sigurinë e Brendshme në Britani, Jonathan Evans, tha se ai dhe kolegët e tij janë larg vetëkënaqësisë. Ai thotë se Britania po organizon operacionin e sigurisë më të madh të saj në kohë paqeje.
Sulmi terrorist më i madh i kohëve të fundit në Londër kishte si qëllim mjetet e transportit.
Fanatikët myslimanë shpërthyen bomba në metro dhe në një autobus në korrik të vitit 2005. Prandaj për këtë arsye, i gjithë sistemi i transportit në Mbretërinë e Bashkuar do të mbrohet me shumë kujdes. Më shumë se 30 mijë kamera do të rrethojnë dhe do të vëzhgojnë të gjithë rrjetin hekurudhor dhe – siç thotë kreu i policisë së transportit në Britani, Andy Trotter – qindra policë shtesë do të monitorojnë situatën.
Qeveria ka instaluar një rrjet të gjerë të pajisjeve ushtarake dhe personelit për të mbrojtur Lojërat Olimpike. Aeroplanë luftarakë, anije, deri edhe nëndetëse bërthamore. Në çatitë e disa blloqeve apartamentesh pranë Parkut Olimpik, janë instaluar raketa. "Është paksa shqetësuese vendosja e raketave në çati", thotë Nadine Moses, banore e zonës.