Policia dhe institucionet arsimore në Elbasan koordinojnë masat për sigurinë në shkolla

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Policia e Shtetit dhe institucionet arsimore në Elbasan kanë koordinuar masat për garantimin e sigurisë në shkolla, një javë para nisjes së vitit të ri shkollor.
Në kuadër të programit kombëtar “Siguria në shkolla” dhe të bashkëpunimit ndërinstitucional, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u zhvillua një takim pune me drejtuesit e institucioneve arsimore dhe strukturat përgjegjëse për sigurinë në arsim.
Në takim morën pjesë drejtori i DVP Elbasan, Drejtues i Parë Kastriot Skënderaj, drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Elbasan, Vesa Liço, shefi i Komisariatit të Policisë Elbasan, Kryekomisar Oltion Demiraj, si dhe drejtuesit e shkollave dhe oficerët e sigurisë në bashkinë Elbasan.
Takimi kishte në fokus koordinimin e masave dhe përcaktimin e përgjegjësive konkrete për krijimin e një mjedisi të sigurt për nxënësit, mësuesit dhe stafin arsimor.
Gjatë diskutimeve u theksua nevoja për forcimin e masave të sigurisë brenda dhe përreth ambienteve shkollore, si dhe për rritjen e bashkëpunimit mes Policisë, drejtuesve të shkollave dhe oficerëve të sigurisë, me qëllim identifikimin dhe parandalimin në kohë të problematikave që mund të cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua sigurisë rrugore pranë shkollave, parandalimit të dhunës, bullizmit dhe sjelljeve me risk, si në komunitetin shkollor, ashtu edhe në hapësirën digjitale.
Në takim u nënvizua gjithashtu rëndësia e komunikimit të vazhdueshëm me nxënësit, prindërit dhe komunitetin, për adresimin në kohë të problematikave dhe forcimin e një klime të sigurt në institucionet arsimore.
Drejtuesit e Policisë dhe të institucioneve arsimore theksuan se siguria e nxënësve mbetet një përgjegjësi e përbashkët dhe prioritet i punës së tyre.
Policia e Shtetit bëri të ditur se do të vijojë monitorimin dhe praninë në terren për garantimin e një viti të ri shkollor të sigurt dhe të mbarë.
/gj.m/r.e/