E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia dhe ushtria në gatishmëri në zonat e përmbytura

Në të gdhirë të ditës së sotme, ora 01:00, në këtë zonë kanë rifilluar reshjet, të shoqëruar me erë. “Reshjet e shiut, të shoqëruara me erë shirokë, kanë krijuar valëzime në këtë zonë të përmbytur duke vështirësuar qarkullimin e gomoneve dhe mjeteve të tjera lundruese të vëna në dispozicion të evakuimit të banorëve të kësaj zone të përmbytur”, i tha kryekomisar Ridvan Bushati. Mbi urën e Sagjicës, që në pjesën e saj të djathtë mbretërohet nga ujërat e Drinit dhe të Bunës, prej ditësh ndajnë dhimbjen me banorët e këtij fshati, forcat e policisë, ushtrisë, dhe forcat e RENEA-s.  Dje nga ky fshat u evakuan më shumë se 10 familje dhe shumë krerë lopë.Pesë varka shpëtimi, me një kapacitet rreth 20 vende, janë vënë prej ditësh në dipozicion të banorëve, të cilët po evakuohen në ambientet e ofruara në qytetin e Shkodrës dhe në rrethinat e tij, si në hotel Turizimi, në repartin ushtarak të Renxit, por edhe tek të afërmit e tyre. Nga informacionet zyrtare mësohet se në Obot janë të rrezikuara të paktën 130 banesa. Banorët po evakuohen përmes Ura së Sagjicës që del më pas tek ura e Bunës, përmes një operacioni të mirëorganizuar të forcave të ushtrisë dhe policisë. Në grup i KESH-it inspektoi një ditë më parë të gjitha linjat elektrike dhe kabinat, në mënyrë që të parandalojë çdo rrezik. Sipas të gjitha informacioneve të marra, në fshatin Obot nuk ka pasur ndërpreje të energjisë elektrike.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›