E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha thirrje banorëve të evakuohen; akuza Ramës

Nga qyteti i Shkodrës, disa zona të së cilit prej ditësh ndodhen nën ujë, ministri Basha, njëherazi kryetar i komitetit të emergjencës, akuzoi, kreun e opozitës Edi Rama, i cili sipas tij "edhe pse premtoi se nuk do ta përdorte situatën e krijuar në Qarkun e Shkodrës dhe Lezhës për motive politike, këtë punë po bën deri tani”. Ministri i Brendshëm, i beri thirrje liderit të opozitës, të solidarizohet me strukturat e qeverisë, e cila është e hapur për bashkëpunim. “Nëse zoti Rama është i sinqertë në ofertën e tij për të punuar së bashku për këtë prioritet madhor, që është përballimi i pasojave të përmbytjes dhe riaftësimi i situatës, atëherë nga ana jonë e ka rrugën të hapur”, u shpreh Basha, duke shtuar se “nuk mbetet gjë tjetër, veç të shihet sesa e sinqertë është oferta e tij”. Duke iu referuar situatës së djeshme, që shënoi dhe rritjen e nivelit të ujit, Basha vuri në dukje bashkëpunimin e shkëlqyer dhe përkushtimin e strukturave përgjegjëse për përballimin e situatës që bënë të mundur evakuimin e 800 banorëve vetëm ditën e djeshme dhe gjësë së gjallë, mjaft e vështirë për t'u realizuar.Ministri i Brendshëm u bëri dhe një herë thirrje banorëve të evakuohen, ndërsa vlerësoi reagimin e deritanishëm të pjesës më të madhe të tyre, për bashkëpunimin për evakuim.Shtabi i Emergjences Civile në Shkodër, gjatë gjithë ditës së djeshme i ka dhënë përparësi evakuimit të banorëve nga zonat e përmbytura, forcimit të infrastrukturës energjitike dhe argjinaturës për kontrollin e ujrave si dhe shpërndarjes së ndihmave për të dëmtuarit. Ministri Basha konfirmoi se si pasojë e masave të marra është shpëtuar dhe nënstacioni elektrik në komunën e Dajçit. Ai konfirmoi se Shtabi i Emergjencës Civile ka funksionuar më së miri, duke dhënë asistencë në çdo moment për banorët e prekur nga përmbytjet. Shtabi i Emergjencës Civile është në bashkëpunim të plotë me kryetaret e komunave, të cilët kanë edhe një ndërlidhës me shërbim 24 orë. Gjithashtu pranë tij janë edhe inspektorët e policisë së zonës, që kanë thjeshtuar nderlidhjen midis komunes duke bërë operacionet efiçente.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›