Policia e Elbasanit: Nuk ka persona të paautorizuar në QV e gjimnazit “Tomorr Sinani” në Cërrik

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë së Elbasanit reagoi sot në lidhje me pretendimet e njërit prej kandidatëve për zgjedhjet vendore, se pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut ndodheshin persona që po intimidonin qytetarët.
Policia e Elbasanit bën të ditur se shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Nga verifikimet e kryera, nuk janë konstatuar shtetas në afërsi, apo pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut.
Gjithashtu, nuk ka patur persona të paautorizuar të grumbulluar jashtë qendrave të votimit dhe nuk është konstatuar asnjë problematikë.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan bën të ditur se, mbetet plotësisht e angazhuar për të garantuar rendin, qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për të verifikuar me përgjegjësi çdo njoftim apo denoncim që mund të lidhet me këtë proces.
Më herët sot kandidati i “Shqipëria Bëhet” në Cërrik, Eligert Hima, ka bërë një denoncim nëpërmjet një prononcimi për mediet, ku ka theksuar se, persona të paautorizuar qëndronin në hyrjet e qendrave të votimit, për të intimiduar votuesit.
Ai bëri thirrje që këta persona të largohen nga qendrat e votimit dhe të lejojnë qytetarët që të votojnë me vullnetin e tyre të lirë pa presion dhe ndikim.
/gj.m/j.p/