Vijon votimi në Vlorë, komisionerja Kojani: Presim rritje të pjesëmarrjes në orët e fundit

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ marseda Qefalia/ Qytetarët e Vlorës po i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme vendore që po zhvillohen në pesë bashki të vendit.
Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 dhe do të vijojë deri në orën 18:00 në gjithsej 232 qendra votimi.
Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), komisionerja e Qendrës së Votimit nr. 4498/1, në shkollën Industriale “Pavarësia” në Vlorë, Julka Kojani, tha se procesi ka vijuar normalisht dhe nuk janë hasur problematika deri më tani.
Megjithatë, ajo theksoi se pjesëmarrja ka qenë e ulët, çka sipas saj mund të jetë ndikuar edhe nga kushtet atmosferike.
“Pjesëmarrja është e ulët, mund të ketë ndikuar shiu që ka nisur që prej orës 12:00. Presim që në orët e fundit të shtohet fluksi i votuesve. Shpresojmë në një pjesëmarrje më të lartë deri në mbyllje të procesit”, u shpreh Kojani.
Komisionerja u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve të dalin në votime dhe të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë demokratike.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Vlorë janë 171 895 qytetarë me të drejtë vote. Në garë për drejtimin e bashkisë janë Brunilda Mersini nga Partia Socialiste, Dionis Sota, kandidat i pavarur i mbështetur nga Partia Demokratike, dhe Gjergji Nika, kandidat i pavarur.
Zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e Vlorës po zhvillohen pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm, Ermal Dredha. Pas mbylljes së qendrave të votimit, pritet të nisë menjëherë procesi i numërimit të votave.
Zgjedhjet e pjesshme po mbahen sot edhe në bashkitë Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë. /j.p/