E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sfida e fuqisë punëtore në Konispol – Në sezonin e vjeljes, fermerët sigurojnë punëtorë sezonalë

Në Konispol, mungesa e fuqisë punëtore mbetet një sfidë për fermerët e zonës, sidomos gjatë sezonit të vjeljes, i cili konsiderohet periudha me ngarkesën më të madhe të punës.

Kjo situatë ka bërë që fermerët të përballen me vështirësi për të përmbushur detyrimet e prodhimit dhe menaxhimin e tokave bujqësore

Sipas specialistes së bujqësisë, Lorena Muço, për të përballuar mungesën e punëtorëve vendas, fermerët detyrohen të angazhojnë punëtorë sezonalë nga zona të ndryshme të Shqipërisë.

“Fuqia punëtore vijon të jetë një problem, për shkak se parcelat janë të shumta dhe prodhimi vjen duke u rritur. Punojnë familjarisht, por ka edhe nga ata që vijnë nga jashtë”, tha Muço.

Pjesëmarrja e tyre konsiderohet një ndihmë e madhe për fermerët, duke lehtësuar ngarkesën gjatë periudhës më intensive të vjeljes.

Muço thekson se fermerët jo vetëm që përpiqen të sigurojnë fuqinë punëtore, por përkujdesen edhe për akomodimin dhe mirëqenien e punëtorëve gjatë muajve të sezonit.

Kjo ndihmon që puna të realizohet në mënyrë efikase dhe krijon një bashkëpunim të suksesshëm midis punëtorëve sezonalë dhe fermerëve vendas.

“Vijnë nga qytete të ndryshme. Ka fermerë që kanë filluar të bëjnë godina për të strehuar punëtorët e tyre,” shton ajo.

Edhe pse sfidat me mungesën e fuqisë punëtore janë të mëdha, bashkëpunimi me punëtorët sezonalë dhe kujdesi për mirëqenien e tyre ndihmon që procesi i vjeljes të zhvillohet pa pengesa.

Gazetare: B.Pëllumbi 

/rtsh.al/ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›