E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shullazi, pranohet gjyqi i shkurtuar

 

TIRANE – Emiliano Shullazi dhe Ervin Ferhati kërkojnë gjykim me kohë të shkurtuar në rishqyrtimin e dosjes në ngarkim të tyre në Gjykatën për Krimet e Rënda. Kërkesa e artikuluar në seancën e djeshme nga avokati mbrojtës i të pandehurve u pranua edhe nga ana e përfaqësuesve të akuzës, ndërsa gjykata do të shprehet për pranimin apo jo të saj në seancën e radhës.
E shtyrë seancën e fundit për mosplotësim të trupës gjykuese, në seancën e djeshme pesëshja gjykuese ishte e plotë. Kryesuesja e seancës, gjyqtarja Marsela Balili relatoi se me një urdhër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pjesë e trupës gjykuese ishin caktuar gjyqtarët Sokol Tona dhe Ilir Çeliku, gjyqtarë në Gjykatën e Tiranës. Të pandehurit e çështjes nuk ishin të pranishëm dhe interesat e tyre mbroheshin nga avokati Ilir Murati. Pas ligjërimit të palëve, avokati kërkoi nga gjykata zbatimin e gjykimit me kohë të shkurtuar. “Kërkoj që dosja të shqyrtohet me kohë të shkurtuar, në gjendjen aktuale në të cilat ndodhen aktet e saj”, u shpreh para gjykatës avokati i të pandehurve. Kërkesa u miratua nga prokurorët e pranishëm. Për pranimin apo mospranimin e saj gjykata do të shprehet në seancën e ardhshme. Në rast se togat e zeza pranojnë kërkesën për gjykim të shkurtuar, dy të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit përfundimtar. Shullazi dhe Ferhati, të akuzuar për “trafik ndërkombëtar të narkotikëve” dhe “drejtimit të organizatës kriminale”, u kthyen për rigjykim pak muaj më parë me një vendim të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, e cila vuri re parregullsi procedurale në përgjimet telefonike të të pandehurve. Në gjykimin e parë ata u dënuan me nga 13 vjet burg.               ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›