Burgaj ndryshon krerët e administratës dhe personelit
TIRANE - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka vijuar edhe dje me ndryshimet në radhët e oficerëve të lartë. Hysni Burgaj ka firmosur dje lëvizjen e Enver Lirzës nga posti i drejtorit të Personelit në Departamentin e Shërbimeve Mbështetëse. Në vend të tij është emëruar Dashamir Maçi, i cili dje ishte drejtor i Drejtorisë së Administratës së Kufirit dhe Migracionit. Sipas burimeve nga policia, mësohet se Maçi dhe Lirza kanë këmbyer vendet me njëri-tjetrin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, poste në të cilat qëndronin prej më shumë se 2 vitesh. Ndërsa po dje drejtori i Përgjithshëm, Burgaj, ka plotësuar edhe vendin vakant që mbeti në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, pas largimit të Vehbi Bushatit nga kjo detyrë. Në krye të policisë së Vlorës është emëruar drejtuesi Ylli Metko, i cili deri dy ditë më parë ishte zëvendësdrejtor i Policisë së Elbasanit. Nga të gjithë këto ndryshime kanë mbetur ende pezull dhe pa u emëruar në ndonjë pozicion tjetër ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Vehbi Bushati dhe ish-drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Arben Hyseni. Përveç firmosjes së largimit të tyre nga kjo detyrë dy ditë më parë, drejtori Hysni Burgaj nuk ka vendosur ende se në çfarë detyre do të caktojë dy drejtuesit Bushati e Hyseni. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se pothuajse kanë përfunduar tashmë ndryshimet e drejtuesve të lartë të policisë, por reforma do të vazhdojë. Tashmë priten ndryshime në rangun e zëvendësdrejtorëve të policisë në qarqe, si dhe të shefave të komisariateve. Mësohet se nuk priten ndryshime të ndjeshme në kryeqytet, duke qenë se vetëm disa muaj më parë ndryshuan disa nga shefat e komisariateve. Vetëm dy ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, ka firmosur 18 ndryshime drejtorësh dhe zëvendësdrejtorësh në polici, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, në drejtoritë e qarqeve etj. Pothuajse të gjithë drejtuesit më të lartë të policisë në qarqe kanë këmbyer vendet dhe sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, gjithçka ka ardhur për përmirësimin e punës së policisë. Ndryshime priten edhe në ditët në vazhdim, gjë që ishte e pritshme edhe nga vetë oficerët e policisë, të cilët ishin paralajmëruar deri diku nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.