E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Kosovës shënon 10-vjetorin e themelimit

Qytetarët kishin mundësinë të shohin nga afër Njësinë e motoristeve, Gardën e Nderit të Policisë së Kosovës, Njësinë e mbrojtjes së afërt, Njësinë mbështetëse operative, Njësinë për intervenim të parë, Njësinë K-9, pastaj policinë kufitare të Kosovës, Policinë e trafikut dhe njësi të tjera. Ndërkaq, ceremonia zyrtare është mbajtur në stadiumin e Prishtinës.

Pas 10 vjet themelimi, Policia e Kosovës vazhdon të forcojë radhët edhe teknikisht në përmbushje të misionit që ka-mbrojtje dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim është thënë me këtë rast. Në këtë ceremoni janë ndarë mirënjohje e lëvdata edhe për pjesëtarë të policisë së Kosovës. Në Policinë e Kosovës shërbejnë rreth 9 mijë pjesëtarë ndërkaq kanë dhënë jetën në linjë të detyrës 11 pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Shërbimi Policor është themeluar më 6 shtator të vitit 1999 nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, i përkrahur edhe nga agjenci të tjera ndërkombëtare. Gjenerata e parë e kandidatëve e përbërë nga 176 pjesëtar pas përfundimit më sukses të trajnimin fillon ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij Shërbimi. Pas pavarësimit të vendit, me ligjin mbi policinë, shërbimi policor, me rreth 9 mijë pjesëtarë merr emrin, Polica e Kosovës.

10 vjet pas, Policia e Kosovës, vlerësohet si një nga historitë më të suksesshme në rrugën e ndërtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Gjithsesi jo gjithçka ka shkuar mirë në rrugën e formimit dhe funksionalizimit të Policisë së Kosovës. Autorë të krimeve të shumta mbeten të paidentifikuar nga policia për vjet të tëra, derisa raporte të shumta të organizatave vendore e ndërkombëtare e vlerësojnë Kosovën si vend me siguri të brishtë. Ndër kritikat e vazhdueshme që adresohet tek policia është mos-arritja e shtrirjes së një zinxhiri të vetëm komandues në tërë territorin e Kosovës.

E pazbuluar mbetet edhe ngjarja e vjedhjes së drogës dhe provave të tjera brenda institucionit policor, e ndodhur vetëm muaj më parë. Problem në vetë që kërcënon infektimin e këtij institucioni me fenomenin e korrupsionit mbeten edhe pagat e ulëta që marrin pjesëtarët e Policisë, për ç’ arsye disa herë edhe janë paralajmëruar protesta. (rtk/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›