E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Ministria e Mbrojtjes eskortë për anëtarët e bandave

30/04/2010 “Bomba” nga xhaxhai i Çiljeta Xhilagës. Rrëfen implikimet me Bandën e Durrësit

TIRANË- Makina të policisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë përdorur për të strehuar anëtarë të bandave kriminale. Ky fakt tronditës u mësua dje gjatë dhënies së dëshmisë nga shtetasi Shpëtim Xhilaga. Ky i fundit pranoi jashtë sallës së gjyqit se është xhaxhai i këngëtares Çiljeta Xhilaga dhe se ka pasur miqësi të forta me disa figura që tashmë janë cilësuar si kapot e trafikut të drogës dhe kanë qenë protagonist të disa eliminimeve mes grupeve rivale. Makina që u përdor nga djemtë e grupit të Lulzim Berishës për të vrarë Dritan Sollakun në Durrës në tetor 1998, ka qenë pronë e shokut të tij. Dëshmitari pretendoi se makinën ia kishin vjedhur në tetor të vitit 1998, por nuk e dinte në çfarë rrethanash dhe në cilin vend. Madje ai asnjëherë nuk ishte interesuar për makinën e vjedhur, duke i thënë gjykatës se nuk e kishte problem për aq lekë të humbura, pasi fitonte aq shumë në një ditë sa nuk i numëronte dot. Më tej Shpëtim Xhilaga tha se djali i tij Denis Xhilagës ishte shumë shokë me Lulzim Berishën, ndërsa ky vet kishte pasur miqësi me Denis Ginën. Gina dhe Berisha kanë qenë kundërshtarë dhe mes tyre ka pasur kontradikta. Makina tip BMW me ngjyrë të zezë u gjet e braktisur në Durrës dhe brenda saj ishin edhe faturat e lokal “Berluskonit” që menaxhonte Shpëtim Xhilaga dhe djali i tij. Një fakt tjetër që doli nga dëshmitari ishte edhe vajtja e djalit të tij dhjetë ditë para vrasjes së Dritan Sollakut në Zvicër dhe më datë 21 tetor kur u kthye, pritja me makinën e Ministrisë së Mbrojtjes që drejtohej nga shoqëruesi i Luan Hajdaragës. Xhilaga tha dje se i kishte kërkuar vet shoqëruesit të Hajdaragës të shkonte me të për të pritur djalin. Në Rinas ai së bashku me djalin është marr nga policia e komisariatit numër tre dhe është vënë në dijeni për ngjarjen që kishte ndodhur në Durrës. Dëshmitari bëri një ballafaqim edhe me Adriatik Colin. Ai tha se nuk e njihte Colin, por ky i fundit e kundërshtoi duke i thënë se në kohën kur janë takuar të dy ka qenë me flokë. Aktualisht djali i dëshmitarit dhe Geri Baja, personi që ka pasur makinën që iu grabit ndodhen në Itali dhe janë në listën e dëshmitarëve të akuzës. Dëshmitari tjetër ishte Gazmend Resuli. Tha se ka lidhje krushqie me Lulzim Berishën dhe Plaurent Dervishaj. Motra e tij ka marrë vëllain e të pandehurit Plaurent Dervishaj. Ka treguar për një goditje që i është bërë shtëpisë së motrës. Ndërkohë që është shprehur se banesa e motrës së tij është qëlluar nga grupi i Marsel Sotirit. “Bashkëshorti i motrës sime Laura, Redinel është vëllai i të pandehurit Plaurent Dervishaj. Jam vënë në dijeni të një ngjarjeje të trishtueshme për disa persona të maskuar që kanë sulmuar banesën e të ndjerit Najzi Dervishaj, ku jetonte edhe motra ime. Kishte shenja plumbash kudo. Motra më ka thënë se kishte qenë në dritare kur kishte dëgjuar të shtëna dhe kishte parë flakë, ishte shtrirë në tokë bashkë me vajzën e vogël. Dritan Sallakun nuk e kam njohur. Pas ngjarjes motra ime ka emigruar në Amerikë, ku edhe ka kërkuar azil politik”. Në kundërshtimin e dëshmisë Prokuroria shtoi se autorët e kësaj ngjarjeje mund të ketë qenë grupi i Marsel Sotirit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›