Policia e Shtetit: Siguria në stadiume, nevojitet përmirësimi i infrastrukturës
Alarmi
Blutë kërkojnë forcimin e masave ndaj shkelësve, qofshin këta sportistë, drejtues apo funksionarë të pushtetit vendor
Pas ngjarjeve të rënda, të ndodhura në stadiumin “Qemal Stafa” gjatë derbit Tirana-Dinamo, apo në takimin e zhvilluar në Vlorë, ndërmjet Flamurtarit dhe Besës, Policia e Shtetit ka lëshuar alarmin: për të siguruar rendin, qetësinë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve sportive, është e domosdoshme që infrastruktura e stadiumeve të përmirësohet. “Pavarësisht masave të mara nga Policia e Shtetit, në disa ndeshje futbolli, të zhvilluara në stadiumet e qyteteve Tiranë e Vlorë, janë shfaqur ngjarje të dhunshme ndaj sportistëve, gjyqtarëve dhe anëtarëve të tjerë të federatës apo të klubeve”, theksonte Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. “Nga analiza e zhvilluar për këto fenomene është konstatuar se, në të gjitha rastet cenimet e rendit publik, veç të tjerave kanë ardhur si rezultat i përfshirjes në këto incidente të drejtuesve të klubeve sportive, të personave të zgjedhur në organet e pushtetit vendor, të presidentëve të skuadrave dhe të disa futbollistëve. Një problem është edhe lejimi i personave të paautorizuar që të qëndrojnë në pistë apo në pankina. Një tjetër problem serioz është mospërmbushja e standardeve dhe kushteve teknike, të miratuara nga UEFA dhe FSHF-ja, që lidhen me infrastrukturën e objekteve sportive. Infrastruktura e mirë ndihmon në rritjen e masave të sigurisë”. Duke nënvijëzuar se strukturat e forcave blu e kanë në qendër të vëmendjes garantimin e rendit dhe të sigurisë gjatë aktiviteteve sportive, policia ka dhënë edhe disa sugjerime, sesi dhuna mund të evitohet. Madje, ajo ka premtuar edhe masa të rrepta ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat. “Duke shprehur konsideratat tona për bashkëpunimin e vazhdueshëm institucional me Komitetin Olimpik Shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes dhe zhvillimit normal të aktiviteteve sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, është e nevojshme marrja e masave për përmirësimin e infrastrukturës së objekteve sportive, në përputhje me standardet dhe kushtet teknike të miratuara nga UEFA dhe FSHF-ja. Kjo do të krijonte kushtet e nevojshme për garantimin e rendit. Gjithashtu duhen forcuar masat ndaj shkeljeve që kryejnë sportistët, drejtuesit e klubeve dhe autoritetet e tjera sportive, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi”, përfundoni Policia e Shtetit.
#