Shqipëria në zi, sot lamtumira për Panajot Panon
Nga ora 12.00 deri më 14.00, në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohen homazhet për legjendën e futbollit shqiptar
Shqipëria do të mbajë zi për humbjen e legjendës së futbollit, Panajot Pano. Sot, trupi i pajetë i ish-yllit të Kombëtares dhe Partizanit do të mbërrijë në vendin tonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare. Pano ndodhej përtej Atlantikut për një vizitë familjare, ndërsa në datën 19 janar zemra e tij pushoi së rrahuri pas një infarkti. Nëntë ditë pas ngjarjes tragjike, që preku jo vetëm botën e sportit, por të gjithë vendin, “mbreti” i futbollit shqiptar do të nderohet ashtu si e meriton lojtari më i madh i të gjitha kohërave. Në orën 10.00 të paradites, trupi i Panos do të kthehet në atdhe. Pas uljes në aeroportin “Nënë Tereza”, ai do të transportohet në Pallatin e Kongreseve, ku për rreth dy orë (12.00 deri më 14.00) janë parashikuar të zhvillohen homazhet.
Të pranishëm në ceremoni priten të jenë krerët më të lartë të shtetit, duke filluar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha e shumë funksionarë të tjerë. Natyrisht që nuk ka si të mungojë prezenca e komunitetit sportiv në vend, ndërsa lamtumirën e fundit për “Lojtarin e Artë” të Shqipërisë, një çmim i dhënë nga UEFA në vitin 2003, mund ta japë edhe çdo person i thjeshtë. Pas homazheve, do të zhvillohet edhe ceremonia funebre në varrezat e Sharrës, ku Pano do të shoqërohet në banesën e fundit. Sipas propozimit të Kryeministrit Berisha, i cili gjeti mbështetje unanime nga Këshilli i Ministrave, sot do të jetë një ditë zie kombëtare në nder të Panos. Flamujt në institucionet shtetërore dhe ato publike do të ulen në gjysmë shtizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje. Gjatë zhvillimit të ceremonialit, Radio Televizioni Publik Shqiptar do të transmetojnë muzikë funebër.
Pano, i vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, ishte një nga lojtarët kryesorë të kohës së tij. Ai u shpall “Futbollisti i më i mirë i shekullit” për Shqipërinë nga FIFA, një listë me 100 sportistë nga çdo vend, ndërsa gjatë vitit të kaluar, me rastin e 70-vjetorit të lindjes, ai u bë sportisti i parë që mori medaljen “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
#