E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon Tirana, Asambleja braktis Tafajn e Mukajn

Kërkojnë reduktimin e vendimeve, mbi të gjitha ndaj klubit

Bardheblutë nuk pajtohen me ndëshkimit e Disiplinës
Menjëherë pas dënimeve të rënda ndaj klubit të Tiranës (4 ndeshje pa tifozë dhe 300 mijë lekë gjobë), trajnerit Alban Tafajt (1 vit pezullim) dhe kapitenit Devis Mukaj (8 ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë), nuk ka vonuar edhe reagimi i bardhebluve, i cili ka ardhur nëpërmjet Asamblesë së Jashtëzakonshme, i mbajtur mbrëmë në ambientet e një hoteli të njohur në kryeqytet. Por edhe pse gishti i akuzës ka rënduar më shumë mbi gjykimin, apo edhe të drejtuesve të FSHF-së, ra në sy një farë “braktisjeje” e dy protagonistëve të kryqëzuar nga Komisioni i Disiplinës, Tafaj dhe Mukaj, pasi në të gjitha referatet e mbajtura, i lanë në harresë dhe i mëshuan në veçanti dënimit të klubit me 4 ndeshje pa tifozë. I pari që sulmoi bluzat e zeza dhe FSHF-në ishte shefi i klubit, Rauf Dimraj, i cili bëri edhe hapjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme të mbajtur enkas për incidentet e dhunshme të ndodhura në derbin e së hënës Tirana-Dinamo 1-2. “Ne kemi bërë kallëzim për 4 gjyqtarët, është kompetencë e prokurorisë të dalë në vendimet përkatëse, nënvizon shefi i klubit. Jam totalisht kundër dënimit të klubit me 4 ndeshje pa tifozë, pasi ajo që ndodhi nuk është faj i mbështetësve bardhelu, apo e klubit, por e policisë, me të cilën ne bëjmë një kontratë që të mos lejojë asnjë tifoz të zbresë në fushë. Prandaj e quaj të padrejtë zhvillimin e katër ndeshjeve pa tifozë dhe dënimin e klubit me 300 mijë lekë gjobë për organizmin”. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe fjala e presidentit Refik Halili, sipas të cilit, “shkaku i asaj që ndodhi është arbitrimi. Nuk ka arsye tjetër, përveç saj. Gjithçka është mirëmenaxhuar nga njerëzit që drejtojnë federatën”. Në shënjestrën e presidentit bardheblu ka qenë edhe Bakaj, (i etiketuar një rrugaç dhe provokator i ndyrë), ndërsa ka kërkuar edhe përjashtimin e përjetshëm të arbitrit të ndeshjes. Pasi ka larguar përgjegjësinë nga vetja dhe klubi, nuk kanë vonuar akuzat e tij për korrupsion në drejtim të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, në lidhje me tenderin e ndriçimit të disa stadiumeve shqiptare, mungesën e transparencës për shpenzimet e federatës të fondeve që ajo përfiton nga organizmat ndërkombëtarë, të drejtën televizive të kampionatit shqiptar etj. Nuk kanë munguar edhe akuzat personale për formimin e numrit një të FSHF-së, që ka qenë edhe si një kundërpërgjigje pas asaj që Duka kishte thënë më parë për Halilin. Mes shumë të tjerëve, ka marrë fjalën vetë Tafaj, i cili e shfrytëzoi këtë rast për të shfajësuar veten: “Ju kërkoj ndjesë vetëm juve që jeni këtu, por u ndodha përballë fyerjeve shumë të rënda”. Asambleja u mbyll pa një rezolutë, e cila do përpilohet sot nga klubi. Por fryma e saj ishte mospajtimi me vendimet (të pabazuara ligjërisht) e Disiplinës që, sipas tyre, “është marrë me pasojën dhe jo me shkakun”. Po ashtu do të bëhet një ankesë për uljen ose për heqjen e dënimet për vendimet në përgjithësi, por në veçanti për ndëshkimin e klubit me 4 ndeshje pa tifozë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›