E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Shtetit arreston 5 bullgare klononin karta bankare

Policia e Shtetit bëri të ditur sot se gjatë operacionit të koduar “Bankomati i rremë” ka bërë të munduar arrestimin e 5 shtetasve bullgarë, të cilët akuzohen për mashtrim kompjuterik me qellim përfitim të paligjshëm parash.

Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Klejda Plangarica bëri të ditur emrat e të arrestuarve, të cilët janë: Dragomir Ivanov Bonev, 35 vjeç, Ivo Dimitrov Ivanov, 37 vjeç, Pavel Vladimirov Milenov, 31 vjeç, Nikolay Yordanov Tosonev, 33 vjeç, dhe Aleksandar Kolev, 38 vjeç, të pestë lindur dhe banues në Sofie, Bullgari.
Zëdhënësja theksoi se grupi kriminal me anë të pajisjeve speciale kopjonte të dhënat e kartave të kreditit dhe debitit, duke bërë të mundur më pas klonimin e kartave bankare për të grabitur kështu para nga klientët e bankave.

Operacioni u krye nga Sektori Kundër Krimit Kompjuterik, i Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Durrës e Vlorë, Departamentin e Kufirit dhe Migracionit si dhe shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, qe në orët e para të ditës së sotme finalizuan me sukses operacioni policor i koduar “Bankomati i rremë”.
Arrestimi i tre prej tyre u bë në flagrancë në një apartament në Durrës teksa ishin duke përgatitur pajisjet për të klonuar kartat ndërsa dy të tjerët janë arrestuar në tentativë për tu larguar nga vendi.

Sipas policisë, ky grup kriminal ka kryer një sërë sulmesh në bankomatet e bankave të nivelit të dytë gjatë muajit maj duke përfituar 150 mijë euro nga 100 transaksione bankare në muajt Maj-Korrik 2011.

Hetimet për zbardhjen e krimit te 5 bullgareve kanë vijuar me muaj. Policia e Shtetit theksoi se nga hetimet rezultoi se ky grup kriminal ka ardhur disa herë në Shqipëri dhe me pajisje elektronike të prodhuara në mënyrë artizanale, të modifikuara si pjesë të bankomatit, kanë kopjuar të dhënat e kartave të debitit dhe kreditit në disa bankomate të qyteteve të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe më pas këto të dhëna janë përdorur për të prodhuar karta bankare të klonuara, me qellim për të tërhequr para në mënyrë të paligjshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›