E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Shtetit dhe ICITAP riafirmojnë partneritetin strategjik mbi 30-vjeçar

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, priti në takim përfaqësuesen e Programit ICITAP për Evropën dhe Azinë, Alexzandria Burns, si dhe drejtuesin e programit ICITAP në Shqipëri, Richard Deasy, ku u riafirmua angazhimi për vijimin dhe thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet palëve.

Sipas Policisë së Shtetit, gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi mbi 30-vjeçar me programin ICITAP, i cili ka kontribuar në modernizimin e Policisë së Shtetit, rritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e integritetit institucional dhe përmirësimin e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve.

Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që ICITAP ka ofruar ndër vite përmes asistencës teknike, këshillimit strategjik, programeve të trajnimit dhe projekteve të zhvillimit institucional, duke e cilësuar këtë partneritet si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të institucionit.

Gjatë bisedës u theksua se forcimi i bashkëpunimit me ICITAP-in, Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe agjencitë partnere ligjzbatuese mbetet një prioritet strategjik për Policinë e Shtetit, me fokus rritjen e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, përdorimin e teknologjive moderne dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimit.

Palët vlerësuan se partneriteti i ndërtuar mbi besimin dhe profesionalizmin ka sjellë rezultate konkrete në forcimin e sigurisë publike dhe sundimit të ligjit, duke riafirmuar angazhimin për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, me synim ndërtimin e një Policie Shteti gjithnjë e më moderne, profesionale dhe më pranë qytetarëve.

1 nga 9

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›