E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Jemi në drejtimin e duhur për procesin e negociatave sipas kalendarit të dakordësuar me KE

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria vijon të jetë në drejtimin e duhur me procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ritmi i reformave dhe përmbushja e detyrimeve janë thelbësore për përparimin e mëtejshëm.

I pyetur për 30 kapitujt e mbetur negociatorë, në konferencën e përbashkët për shtyp me Thomas Byrne, ministër i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen i Irlandës, dhe Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin, pas Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama u shpreh se Shqipëria po ecën sipas kalendarit të dakordësuar me Komisionin Evropian.

“Ajo çfarë është e rëndësishme është që deri më tani jemi në drejtimin e duhur me kalendarin tejet ambicioz që është diskutuar dhe për të cilin është rënë dakord në ndërveprimin tonë të ndërsjellë me Komisionin. Dhe falë detyrave të pareshtura të shtëpisë që kemi bërë deri më tani”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se ky kalendar mbetet sfidues dhe kërkon intensifikim të përpjekjeve.

“Thënë kjo, kalendari bëhet gjithmonë e më shumë ambicioz dhe ne duhet të punojmë gjithmonë e më tepër, pa reshtur”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, vijimi i një klime pozitive bashkëpunimi do të jetë një faktor i rëndësishëm për ecurinë e procesit.

“Nëse atmosfera do të vazhdojë të jetë ajo çfarë kemi përjetuar gjatë kësaj periudhe të fundit, çdo gjë do të jetë aty ku duhet dhe çdo detyrë shtëpie do të bëhet si duhet. Nëse atmosfera do të ndryshojë, atëherë do të shohim. Por deri më tani nuk kemi arsye të besojmë se do të ketë një ndryshim atmosfere”, tha kryeministri.

Rama iu referua edhe takimit të Koalicionit të të Vullnetshmëve, duke theksuar se vendet që janë në negociata aktive ndajnë të njëjtin qëllim për të përshpejtuar procesin.

“Dje në takimin e Koalicionit të të Vullnetshmëve pati edhe një qasje, një këndvështrim për këtë proces për vendet që janë në negociata aktive dhe mund të ndjeje lehtësisht se të gjithë janë të prirur që të shtyjnë përpara dhe të gjithë janë të prirur të gjejnë mënyra edhe më të shpejta për ta mundësuar këtë”, deklaroi Rama.

Kryeministri u shpreh optimist për vijimin e procesit, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes nga partnerët europianë.

“Jam shumë, shumë optimist në mënyrën shqiptare, që do të thotë tragjikisht optimist. Kështu që gati për të ecur përpara dhe për t’u përballur edhe me sfidat nëse shfaqen”, tha ai.

Rama vlerësoi gjithashtu rolin e presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së në këtë proces.

“Presidenca irlandeze na jep komfort sepse Irlanda është një vend që ka dëshmuar përmes shembullit se progresi eksponencial është i mundshëm dhe se irlandezët nuk pranojnë asgjë përveç ekselencës si objektiv”, u shpreh ai.

“Të jesh i shkëlqyer në objektivin e presidencës do të thotë të mund të mbyllësh më shumë kapituj me ne dhe me të tjerët deri në fund të vitit. Dhe ne u besojmë miqve tanë irlandezë, punës që po bëjmë me Komisionin dhe kemi besim tek partnerët. Kështu që deri tani gjithçka mirë”, përfundoi kryeministri Rama.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›