Sekuestrohen pasuri me vlerë rreth 420 mijë euro të dyshuara me burim kriminal në Tiranë

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “De facto”, në kuadër të hetimeve për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të dyshuara me burime kriminale.
Gjatë operacionit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, ekzekutuan vendimin e Gjykatës për sekuestrimin e dy apartamenteve dhe një garazhi në Tiranë.
Sipas Policisë, pasuritë e sekuestruara kanë një vlerë tregu rreth 420 mijë euro dhe dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e shtetasit H. (A.) A., 54 vjeç, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Hetimi pasuror është zhvilluar me metoda speciale, në bazë të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Policia bën të ditur se hetimet vijojnë për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që mund të jenë krijuar nga burime kriminale, të 54-vjeçarit apo personave të lidhur me të.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
/gj.m/j.p/