E Diel, 1 Nëntor 2026

Pjerin Ndreu: “Ka ardhur koha për rishikimin e politikave antikrim”



Natyrisht, pengmarrja e djeshme është një ngjarje e rëndë. Ngjarje të tilla janë të rralla, por nëse do t’i referohemi aktit të vjedhjes së bankës, më parë nga ana e autorit, vërejmë me keqardhje se krimi i goditjes ndaj bankave dhe institucioneve financiare ka ardhur në rritje. Polica ka vepruar me maturi për faktin se u bë neutralizimi i autorit pa asnjë pasojë dhe kjo mund të konsiderohet si sukses. Por ka ardhur koha e një analize të hollësishme të faktorëve që sjellin rritjen e kriminalitetit, sidomos në Tiranë dhe në disa qytete të tjera. Këto politika duhet të përpunohen në qeveri dhe pastaj të bëhet mobilizimi i faktorëve për t’i parandaluar këto krime. Ritheksoj, ashtu si edhe herët e tjera, se ky krim është karakteristikë e zonave të mbipopulluara urbane, ku kaosi social është i lartë, ku institucionet janë të dobëta, sistemi i adresave është inekzistent, urbanizimi është jashtë kontrollit, niveli ekonomik është i lartë dhe për pasojë, papunësia është në rritje, tensionet politike janë të vazhdueshme, duke prodhuar klimë pasigurie etj. Policia, nga ana e saj, duhet të rishikojë rishpërndarjen e forcave dhe të mjeteve në vartësi të dinamikës dhe të situatës që i paraqitet me synimin e parandalimit të ngjarjeve të tilla. Ka ardhur koha që disa pika me dendësi të lartë popullate, me numër të madh institucionesh, me trafik të dendur dhe aktivitet tregtar të konsiderueshëm duhet të kenë afër shërbimet e policisë që në raste të ndonjë ngjarjeje kriminale, policia duhet të jetë sa më shpejt në vendngjarje. Është për të ardhur keq se në media shiten më shumë produkte joefektive që kanë të bëjnë me idenë e një stabiliteti të lartë të parametrave të rendit. Por kjo nuk është e vërtetë. Situata akoma është e brishtë dhe jo e sigurt, sepse nuk mund të ndodhë që në një vend ku problematika që thamë më lart është shqetësuese dhe niveli i krimit të jetë i ulët. Kjo duhet të zgjojë mendjet e atyre që hartojnë politikat antikrim, pa vetëmburrje e xhelozi. Të gjenden rrugët më të mundshme për realizimin e parametrave optimalë të rendit. Deklaratat e politikanëve që veçse mbjellin kaos idesh duhet të zëvendësohen me prodhime të mendjeve që e njohin strategjinë e luftës kundër krimit. Nëse do të vazhdohet kështu dhe me këtë hap, atëherë mendoj dhe jam i bindur se perspektiva e luftës antikrim është e turbullt.
Një indikator tjetër është dhe korrupsioni i lartë i administratës së shtetit, i cili, natyrisht që është një tjetër shtysë që frymëzon krimin. Është e njohur tashmë ndërlidhja mes krimit të organizuar dhe korrupsionit. Askush nuk dëgjohet të flasë për këtë. Tjetër problem është dhe shkelja e ligjit nga ana e administratës së shtetit, e cila mban vendin e parë në këtë drejtim. Është skandaloze, por të jesh pushtetar, bir, nip, lidhje shoqërore apo farefisnore e ndonjë pushtetari, nuk ndëshkohesh nga ligji. Kjo është pjesa më e turpshme që ndodh sot çdo ditë në sytë e publikut. Të ndëshkuarit që e provojnë të plotë ndëshkimin e ligjit janë shtresat e mesme dhe të varfra të popullatës. Kjo është amullia, pra që prodhon kriminalitet dhe nuk premton për sukses në drejtim të përmirësimit të parametrave të rendit e të qetësisë.

Grabitet pika e këmbimit valutor

TIRANË - Në kohën kur në zonën e ish-Bllokut ishte përqendruar e gjithë vëmendja e Policisë së Tiranës, persona ende të paidentifikuar kanë grabitur një pikë të këmbimit valutor në zonën e Komunës së Parisit. Sipas të dhënave paraprake bëhet e ditur se grabitësi ka hyrë në ambientet e kësaj zyre dhe fillimisht i është drejtuar arkës ku ka kërkuar të këmbejë disa para. Në këto momente ai ka nxjerrë armën dhe e ka detyruar punonjësin t’i japë paratë që kishte në arkë. Policia ende nuk bën të ditur shumën e parave të grabitura, por mësohet se ajo nuk është një shumë e madhe. Sipas të dhënave paraprake nga dëshmitë e mbledhura mësohet se grabitësi kishte një palë syze dielli me skelet të trashë dhe se ishte rreth moshës 34 vjeç. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, disa forca police janë drejtuar pranë vendngjarjes ku kanë nisur punën për të identifikuar dhe më pas arrestuar autorin.

20 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›