E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Tiranës: Në 2011-ën janë zbuluar 83.8% e veprave penale

TIRANE - Policia e Tiranës ka zhvilluar analizën vjetore të veprimtarisë së saj në një takim ku morën pjesë dhe drejtues të lartë të policisë së shtetit, Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme.
Sipas analizës, gjatë këtij viti është vënë re një rritje e numrit të veprave penale të referuara në Prokurori, si dhe një rritje e zbulueshmërisë së këtyre veprave.

“Nga salla operative e Policisë së qarkut Tiranë janë pritur gjithsej 20.446 telefonata, nga 17583 telefonata në vitin 2010, pra kemi një rritje prej 2877 telefonatash, që është një tregues pozitiv që tregon përafrimin dhe rritjen e besimit të publikut tek policia.”,- deklaroi Sajmir Mucaj, drejtori i Policisë së Tiranës.

Pasi ka vlerësuar punën e bërë gjatë vitit 2011 në Policinë e Tiranës, Hysni Burgaj drejtor i përgjithshëm i policisë, ka kërkuar korrigjimin e defekteve të hasura në sektorë të rëndësishëm të kësaj strukture, sidomos në goditjen e vjedhjeve të makinave.

“Të paktën 50% e këtyre telefonatave janë në shkelje të ligjit dhe përbëjnë vepra penale, pra nuk janë 6 mijë duhet të jenë mbi 10 mijë vepra penale në këtë qark dhe unë kërkoj që të intensifikohet puna, të evidentohet çdo vepër penale kudo që ndodhet dhe për çfarëdo shkelje të ligjit.”,- deklaroi Burgaj.

Në territorin e Qarkut Tiranë, është marrë dijeni dhe janë referuar 6236 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 5227 prej tyre, ose 83.8% e tyre. Në këtë veprimtari janë përfshirë gjithsej 5686 autorë, prej të cilëve 1270 arrestuar dhe 4416 ndjekur në gjendje të lirë. Evidentohet fakti se, gjatë këtij viti janë kapur 345 persona të shpallur në kërkim ose 68 më shumë në krahasim me vitin 2010.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›