E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Tiranës: Ti themi jo drogës

TIRANË- Nën moton "ti themi jo drogës dhe të mbrojmë shëndetin" të rinjtë e kryeqytetit morën pjesë sot në një aktivitet sensibilizues të organizuar nga policia e Tiranës.

Nxënës të shkollave të mesme "Petro Nini Luarasi”, "Sami Frashëri", "Ismail Qemali", "Pratizani", etj, pjesëmarrës në këtë aktivitet, veç të tjerave shpërndanë fletushka tek qytetarët ku jepej informacion mbi numrat e telefonit ku mund të realizoheshin denoncime apo qendra rehabilitimi.
Arjan Boci, Kreu i Shoqatës "Stop Hiv-Aids" tha se sot në Shqipëri numërohen 60 000 përdorues droge ndërsa 10 000 prej tyre janë intravenosë, pra përdorues të rregullt.

"Edhe pse është bërë shumë në këtë drejtim, si nga policia, ashtu edhe nga qeveria, përsëri shifrat e larta të përdorimit të drogës janë shqetësuese. Prandaj, ky aktivitet ndihmon edhe më tej në sensibilizimin e të rinjve mbi dëmet që shakton përdorimi i substancave të rrezikshme", nënvizoi Boci.

Ai tha se "të rinjtë duhet të bëhen përçues të zërit tonë, duhet të dinë se duke shpërndarë zërin tonë te bashkëmoshatarët e tyre informojnë edhe më shumë për rëndësinë që ka roli i policisë në komunitet", përfundoi Boci.
Shefi i Patrullës së Përgjithshme në Policinë e Tiranës, Bedri Hasani, në fjalën e tij tha se ky program ka një rëndësi thelbësore në sensibilizimin e qytetarëve.

"Policia nuk duhet të shihet me frikë, por si një aleate e besueshme dhe konkrete për qytetarin. Ne jemi këtu për t’u treguar rëndësinë që ka bashkëpunimi me policinë në luftën ndaj elementëve të dëmshëm për shoqërinë", tha Hasani.
Shefi i Patrullës së Përgjithshme i bëri apel nxënësve të përhapin edhe tek shoqëria e tyre numrat e telefonit ku mund të realizojnë denoncimet sipas rastit dhe ku u garantohet siguri dhe mbrojtje maksimale.

Edukimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve lidhur me rolin e policisë në komunitet është në qendër të aktiviteteve të zhvilluar nga Policia e Qarkut të Tiranës me të rinjtë e grupmoshës 16-18 vjeç, të shkollave të mesme të përgjithshme.
Më parë të rinjtë vizituan ambientet e policisë së kryeqytetit, ku patën mundësi të njiheshin më nga afër me mënyrën e punës si dhe të krijonin besimin e nevojshëm për rëndësinë e rolit të uniformave blu në komunitet.

Gjithashtu janë realizuar edhe leksione të hapura në gjimnaze të ndryshme të Kryeqytetit.
Rëndësi e veçantë iu dha rritjes së njohurive të nxënësve mbi mbrojtjen e shëndetit të tyre seksual dhe riprodhues, duke realizuar një vizitë në Shoqatën 'Stop Sida' në Shqipëri.

Ky program financohet nga Qeverisa Suedeze, si pjesë e programit "Policimi në Komunitet" dhe monitorohet nga Ambasada Suedeze në vendin tonë.

(d.b/Atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›