Policia e Tiranës i përgjigjet Oborrit Mbretëror: Video s’ ka dalë nga ne. Pamjet e sekuestruara janë dorëzuar në Prokurori

Policia e Tiranës i është përgjigjur deklaratës së Oborrit Mbretëror, lidhur me pretendimet për publikimin e videos së përplasjes mes Princ Lekës dhe ish-bashkëshortes së tij, Elia Zaharia.
Oborri Mbretëror tha në një deklaratë se pamjet që u bën publike ishin dorëzuar vetëm në komisariat si provë materiale dhe se nga aty janë shpërndarë te persona të tretë.
Policia e Tiranës hedh poshtë pretendimet, teksa thotë, nëpërmjet një njoftimi, se në lidhje me rastin janë kryer veprimet procedurale, dhe se pamjet e sekuestruara janë dorëzuar në Prokurori.
“Në lidhje me një reagim të bërë nga Oborri Mbretëror, ditën e sotme, ju informojmë se: Nga ana jonë në lidhje me rastin janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, janë sekuestruar pamjet filmike, të cilat i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Po kështu deklarojmë që kjo video nuk ka dalë nga strukturat e Policisë”, thuhet në reagimin e Policisë.
Princ Leka dhe Zaharia kanë depozituar të dy kallëzime në Polici, duke pretenduar për dhunë. Për rastin Policia ka lëshuar urdhër mbrojtje për të dy. Ndërkohë janë publikuar edhe video nga përplasja që Princi dhe Zaharia kanë pasur në rezidencën e familjes mbretërorë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e 5 marsit, ku Princ Leka dëshmon se ka vajtur për të takuar të bijën, por ka hasur në dhunën e ish vjehrrit fillimisht dhe më pas të ish bashkëshortes.
/rtsh.al/