Publikimi i videove, reagon Oborri Mbretëror: Pamjet u dorëzuan vetëm në Polici, institucionet të ndërhyjnë për t’i fshirë

Oborri Mbretëror ka reaguar zyrtarisht lidhur me publikimin e videove të përplasjes mes Princ Lekës dhe ish-bashkëshortes së tij, Elia Zaharia.
Në njoftimi zyrtar, Oborri Mbretëror bën me dije se videot janë dorëzuar në Polici si provë materiale, teksa hedhin dyshime se janë shpërndarë nga aty te persona të tretë.
“Princ Leka pasditen e 5 marsit është sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij dhe videot e këtij momenti janë bërë publike në rrjetet sociale. Videot janë dorëzuar vetëm në komisariatin e policisë nga Princ Leka ll Zogu, si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij, por pavarësisht se janë konsideruar si një sekret, këto materiale, së bashku me deklaratën, qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe në medie duke përcjell imazhe të pakëndshme dhe me përmbajtje dhune. Oborri Mbretëror shpreh thellësisht zhgënjimin nga institucionet ligjzbatuese te të cilat dyshojmë se kanë cenuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretë”, thuhet në reagim.
Po ashtu, bëhet me diej se do të kërkohet ndërhyrja e institucioneve përkatëse për të fshirë videot në rrjetet sociale dhe në media.
“Gjithashtu Oborri Mbretëror kërkon ndërhyrjen e policisë dhe institucioneve përkatëse për fshirjen e këtyre imazheve nga rrjetet sociale dhe nga mediet”, përfundon reagimi.
Princ Leka dhe Zaharia kanë depozituar të dy kallëzime në Polici, duke pretenduar për dhunë. Për rastin Policia ka lëshuar urdhër mbrojtje për të dy. Ndërkohë janë publikuar edhe video nga përplasja që Princi dhe Zaharia kanë pasur në rezidencën e familjes mbretërorë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e 5 marsit, ku Princ Leka dëshmon se ka vajtur për të takuar të bijën, por ka hasur në dhunën e ish vjehrrit fillimisht dhe më pas të ish bashkëshortes.
/rtsh.al/