E Martë, 3 Nëntor 2026

Policia e Vlorës procedon 34 drejtues mjetesh, vendosen 6000 gjoba

TIRANË, 2 maj /ATSH/ 34 drejtues mjetesh janë arrestuar dhe proceduar në gjendje të lirë në Vlorë dhe rreth 6000 masa administrative janë vendosur për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Vlorës njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit, 3 drejtues mjetesh janë vendosur në pranga, për drejtim të mjetit, në gjendje të dehur/pa leje drejtimi.

Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Vlorë dhe në Sarandë, si rezultat i kontrolleve të intensifikuara, gjatë 24 orëve të fundit, kanë arrestuar në flagrancë 3 drejtues automjetesh, R. B., 17 vjeç, banues në Delvinë, pasi u kap në rrugën “Onhezmi”, Sarandë, duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi; K. K., 56 vjeç, banues në Sarandë, pasi u kap në rrugën “Panorama”, Sarandë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur; F. B., 36 vjeç, banues në Vlorë, pasi u kap në rrugën “Gjergj Kastrioti”, Vlorë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Gjatë muajit prill, strukturat e qarkullimit rrugor në Vlorë dhe në Sarandë kanë kryer kontrolle intensive në akset urbane dhe interurbane, duke regauar ndaj çdo shkeljeje që rrezikon jetën e përdoruesve të rrugës.

Si rezultat janë arrestuar 19 drejtues mjetesh; janë proceduar në gjendje të lirë 15 drejtues mjetesh; janë pezulluar 9 leje drejtimi.

Gjithashtu, janë vënë 5936 masa administrative, nga këto 597 për parakalime të gabuara; 319 për mosvendosje të rripit të sigurimit; 168 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit; 471 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 77 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit; 910 për tejkalim të shpejtësisë; masat e tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Vlorës iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë dhe çdo sjellje që cenon jetën në rrugë.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›