Spitali i Durrësit, shtohen shërbime të reja për pacientët
Emanuela Sako
Spitali Rajonal i Durrësit këtë vit do të ofrojë më shumë shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët. Drejtoria e këtij spitali sqaroi se së shpejti do të ngrihen reparte të reja, që do të shërbejnë për kurimin e pacientëve. Drejtori i spitalit shpjegoi se po punohet për ngritjen e repartit të Kardiologjisë brenda shërbimit të sëmundjeve të brendshme dhe bordi ka miratuar ngritjen e Shërbimit të Onkologjisë dhe Dializës. Spitalit do t’u shtohen edhe një numër aparaturash që janë blerë për disa shërbime të caktuara, ku ka munguar kurimi nëpërmjet aparaturave. Spitali i Durrësit është ndër të parët ku është aplikuar shtrirja e reformës së sigurimeve shëndetësore. Spitali rajonal i Durrësit ka funksionuar me skemën e sigurimeve shëndetësore që prej vitit 2001.
Shërbimet
Brenda këtij muaji në spital do të instalohet skaneri i parë, pas një marrëveshjeje bashkëpunimi me Universitetin e Pizës. Njëkohësisht në Spitalin e Durrësit do të rihapet materniteti dhe repartet e reja të kirurgjisë dhe sëmundjeve të brendshme dhe shërbimi i dializës. “Këtë vit ne do të punojmë më tepër në drejtim të zbatimit të protokolleve të mjekimit dhe të kontrollit të performancës spitalore, gjë që do të ketë efekt të drejtpërdrejtë në shërbimin ndaj pacientit dhe ngritjes profesionale”, - tha Myderrizi. Ai theksoi se në 6-mujorin e parë do të përfundojë informatizimi i administratës dhe recepsioneve për të arritur në informatizimin edhe të pjesës tjetër të spitalit. Sipas tij, gjatë vitit 2008, brenda shërbimit të Kirurgjisë së përgjithshme është ngritur reparti i Ortopedisë, Okulistikë-ORL-së dhe Urologjisë.
Trajtimet
Spitali rajonal i Durrësit mbulon me trajtime mjekësore rrethin e Durrësit, me një popullsi rreth 350 mijë banorë. Në këtë spital gjenden 340 shtretër për të gjitha shërbimet, me 7 salla operacioni, ofron katër shërbime kryesore (kirurgji, sëmundjet e brendshme, pediatrinë dhe maternitetin), si dhe shërbimet ndihmëse (urgjencën, poliklinikën e specialiteteve, imazherinë, laboratorët dhe farmacinë). Spitali rajonal i Durrësit ofron shërbim urgjence 24 orë të nivelit të parë, me 13 shtretër ditorë, dy mjekë të përgjithshëm në shërbim 24 orë brenda dhe jashtë spitalit. Gjithashtu ai ofron shërbim të nivelit të dytë 24 orë në pediatri, obstetrikë-gjinekologji dhe me shërbim specialistësh on-call, për sëmundje të brendshme. Ndër shërbimet e nivelit të tretë që ofrohen janë kirurgji e përgjithshme e traumatologji dhe ortopedi, urologji, okulistikë, ORL e kirurgji maksilifaciale. Ndërsa, shërbimet paraklinike të ofruar në këtë spital janë imazheria si dhe anatomia patologjike.
Kukës, nis rikonstruksioni i Maternitetit të qytetit
Spitalit Gjinekologjik në qytetin verilindor të Kukësit pritet t’i nënshtrohet muajin e ardhshëm rikonstruksionit tërësor përmes një fondi prej 20 milionë lekësh nga buxheti të shtetit. Punimet në këtë spital, që numëron rreth 900 lindje në vit, do të përfundojnë brenda këtij viti, duke ndikuar në përmirësimin e ndjeshëm të kushteve për pacientet edhe mjekët. Specialisti për investime në Prefekturën e Kukësit, Shukri Shala, u shpreh se krahas këtij investimi, buxheti i shtetit ka akorduar dhe një shumë prej 5,3 milionë lekësh për pajisjen me materiale të reja spitalore. Këto do të shërbejnë kryesisht për Spitalin civil rajonal, i cili ka nevoja të shumta. “Prej këtij fondi 2,4 milionë lekë do të lëvrohen për blerjen e pajisjeve dentare, gjë që do të ndikojnë në përmirësimin e punës me fëmijët e moshës shkollore”, - deklaroi Shala. Sipas tij, po bashkërendohet puna me drejtuesit e institucioneve shëndetësore me synim fillimin e shpejtë të procedurave të tenderimit, në mënyrë që investimet të realizohen në kohë dhe me cilësi.
12 Shkurt 2009