E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia gjen arka me fishekë dhe predha në një tunel

Një sasi e konsiderueshme
municionesh janë zbuluar
në një tunel në një fshat të Rrethit
të Beratit. Burime të komisariatit
të policisë së këtij rrethi
bëjnë me dije se një telefonatë e
bërë në sallën operative nga banorët
e fshatit Lapardha ka vënë në
alarm drejtuesit e policisë. Disa
fëmijë, të cilët kanë qenë duke
luajtur, kanë parë sasinë e municioneve
dhe kanë njoftuar
prindërit, të cilët më pas njoftuan
policinë. Drejt fshatit Lapardha,
pak kilometra larg qytetit të
Beratit, kanë udhëtuar menjëherë
ekspertët e policisë dhe
specialistë të armatimit, që kanë
parë nga afër sasinë e municioneve.
Municionet e kalibrave të
ndryshme, përfshirë edhe
predha artilerie, ndodheshin në
një tunel në breg të lumit të
Lapardhasë. Punonjësit e policisë
gjetën brenda tunelit 50 arka
me fishekë me nga 760 copë secila
dhe 20 predha luftarake të kalibrave
të ndryshëm. Sasia e municioneve
të gjetura është
sekuestruar dhe më pas është
dërguar në magazinat e komisariatit
të këtij qyteti. Sasia e municioneve
dhe predhat dyshohet se
kanë qenë të vendosura brenda
tunelit që nga viti 1997, ndërkaq
po punohet për të mësuar autorësinë
e tyre. Ky është rasti i
dytë brenda 24 orëve të fundit që
bllokohet një sasi e tillë municioni.
Dy ditë më parë, Policia e Beratit
zbuloi një sasi armësh dhe
municionesh në shtëpitë e disa
fshatarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›